Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 93/2015, “Për Turizmin”, i ndryshuar

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

|

Postuar më: 03.10.2023

|

Data e Mbylljes: 31.10.2023

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 1

|

Nr.Shikimeve: 1490

PDF

|

XML

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit njofton publikimin për zhvillimin e konsultimit publik me grupet e interesit, komunitetin e biznesit, publikun dhe aktorë të tjerë të interesuar, për  projektligjin  "Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 93/2015, “Për Turizmin”", i ndryshuar

Komentet nga qytetarët

arrow

DHOMA AMERIK. E TREGT. NE SHQIPERI

Objekti: Komentet e biznesit mbi Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 93/2015, “Për Turizmin”, i ndryshuar”

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (në vijim referuar si “Dhoma”) në funksion të misionit të saj për të ndihmuar bizneset të punojnë në një klimë të qëndrueshme, dëshiron të përcjellë komentet e anëtarëve të saj në lidhje me këtë projektligj. Grupi i ekspertëve në Dhomën Amerikane është munduar të listojë disa rekomandime mbi çështje që kanë nevojë për sqarim ose përmirësim.

Dhoma e mbështet plotësisht angazhimin e Qeverisë për formalizimin e industrisë së Turizmit dhe Mikpritjes në Shqipëri, e cila i shërben dhe ndihmon në krijimin e një klime të qëndrueshme në vend, por duke qënë se projektakti propozon risi, ashtu si në qëndrime edhe të mëparshme të Dhomës, jemi të mendimit se procesi i konceptimit dhe projektimit të ligjeve, kërkon përfshirjen e grupeve të interesit që në fazat fillestare. Në këtë rast, përfshirja paraprake e grupeve të interesit që veprojnë në sektorin e turizmit, do të kishte qenë me vlerë për përmbajtjen e propozimeve të sugjeruara si dhe reflektimin e problematikave kryesore që biznesi ndesh në praktikë. Më tej, një përfshirje e tillë ka efekt pozitiv mbi kuptueshmërinë dhe qartësinë e aktit si dhe potencialisht në zbatueshmërinë e tij.

Duke konsideruar se turizmi dhe mikpritja mbeten një nga sektorët më prioritarë për zhvillimin ekonomik të vendit, sugjerimi ynë filestar është që propozimet e reja të shoqërohen njëkohësisht me Strategjinë e re Kombëtare për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Turizimit . Një qasje e tillë është ndihmuese për të gjitha palët që të jenë të mirëinformuara mbi vizionin dhe objektivat për zhvillimin e sektorit të turizmit në vitet në vijim.

Përpos faktit që Ligji Nr. 93/2015 “Për turizmin” i ndryshuar është një ligj relativisht i ri dhe ka përafrim të pjesshëm me akte të Bashkimit Europian (BE), duhet mbajtur në vëmendje që këto akte kanë ndryshuar. Duke qënë se të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë një rritje të ndjeshme në sektorin e turizimit në vendin tonë, duhet konsideruar nëse konceptimi i një ligji të ri, të mirëstrukturuar, në linjë me Strategjinë e re Kombëtare për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Turizmit, dhe të konsultuar me të gjithë strukturat që formojnë industrinë e mikpritjes dhe turizmit duke përfshirë të gjithë aktorët (Agjenci që operojnë me IATA ose jo, Rent a car, Akomodim, DMC, Tour operator, F&B, aktivitetet, atraksionet, transporti (tokë/ajër/ujë), i shërben më tej zhvillimit dhe i përgjigjet sipërmarrjes në këtë sektor apo ndryshimet e propozuara janë të mjaftueshme. Në çdo rast, një ligj i ri apo ndryshime në aktin ekzistues, biznesi konsideron të nevojshëm të njihet edhe me Strategjinë e zhvillimit të turizmit.

Gjithashtu, një nga problematikat kryesore që vërehet në këtë projektligj është që nuk ka asnjë parashikim në lidhje me praktikat apo instrumentat digjitale që institucionet (qoftë Ministria qoftë AKT) do të përdorin për të implementuar dhe ndjekur zhvillimet dhe gjurmimin e të dhënave, transparencës. Sugjerojmë që shumë shërbime duhet të jenë të aksesueshme në e-albania.

Si më poshtë do të gjeni një përmbledhje të detajuar të neneve përkatëse për të cilat rekomandohen ndryshime:

Neni 2 (ndryshimet e propozuara për nenin 4 pika 58) Koment: “.......ose e një ndërtese banimi, në të cilin ofrohet shërbimi i akomodimit për turistët”. Duke qënë se te përkufizimi i apartamentit përdoret "njësi banimi" sugjerohet të ketë uniformitet në të gjithë ligjin për terminologjinë e përdorur.

Neni 2 (ndryshimet e propozuara për nenin 4 pika 63) Koment: Është e paqartë dhe duhet më shumë informacion, cili është misioni i Organizatës së Menaxhimit të Destinacionit (OMD) dhe cilat janë kriteret e përzgjedhjes së përbërjes së saj?

Neni 2 (ndryshimet e propozuara për nenin 4 pika 64) Koment: “Plazh” është hapësira me rërë, zhavorr apo shkëmb......”. Duhet shtuar termi “gurë”

Neni 2 (ndryshimet e propozuara për nenin 4 pika 66) Koment: Përkufizimi përjashton shoqerinë e thjeshtë sipas Kodit Civil që mund të jetë një formë e përshtatshme për investitorë të huaj. Sugjerojme të ndryshohet si vijon: “Sipërmarrës turistik” është personi fizik tregtar ose juridik, i krijuar sipas legjislacionit në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, ose nje shoqëri e thjeshtë e krijuar sipas Kodit Civil, i cili kryen veprimtari në fushën e turizmit”

Neni 3 (ndryshimet e propozuara për nenin 8 pika c) Koment: Agjencia Kombëtare e Bregdetit, për qartësi në referim dhe duke qënë se ky institucion do të ketë edhe kompetenca të inspektimit të të gjitha aktiviteteve turistike (pra jo vetëm të turizmit bregdetar), Ligjvënësi mund të vlerësojë një emërtim tjetër më përfshirës.


Neni 7 (ndryshimet e propozuara për nenin 15 pika 1). Koment: “.....zhvillimit të qëndrueshëm të zonës bregdetare dhe brigjeve të brëndshme....” Duke qënë se funksionet dhe kompetencat sipas nenit 17 përfshijnë zonat bregujore, atëherë është më e përshtatshme që t'i referohet këtij përkufizimi që përfshin zonat bregdetare dhe ujrat e brendshme.

Neni 12 (ndryshimet e propozuara për nenin 31, pika 2) Koment: “Ky fond nuk i nënshtrohet legjislacionit të prokurimit publik”. Mungesa e një kuadri të aksesueshëm dhe të qartë rregullash mund të jetë objekt për abuzime. Përdorimi i fondit duhet të bëhet nëpërmjet një gare ku marrin pjesë operatorë të ndryshëm edhe nëse jo me rregullat e prokurimit publik. Në cdo rast, nuk mund të jepen fonde të buxhetit të shtetit me marrëveshje të drejtpërdrejtë. Ligji duhet të përcaktojë një minimum rregullash për organizimin e garës/konkursit/tenderit për financimin e projekteve, mënyren sesi bëhet publikimi i garës, dokumentat që duhen dorëzuar. Në rastin konkret, supozohet që vetë Ministria të hartojë rregullat për dhënien e financimit dhe pastaj po kjo ministri të miratojë dhënien e fondeve. Ky rregullim lë shumë hapësirë për abuzim.
Sic theksuam më lart, sugjerojmë që rregullat për organizimin e garës/konkursit/tenderit të përfshihen në ligj dhe mund të autorizohet Këshilli i Ministrave të bëjë procedura më të detajuara.

Neni 13 (ndryshimet e propozuara për nenin 31, shtohet neni 31/1 pika 1) Koment: Nuk del qartë në projektligj nëse ky “Kolegjium” është një organ ad-hoc apo është i përhershëm. Gjithashtu nuk është e qartë se cilët do të jenë anëtarët e tij. Duhet të ketë një përkufizim më të qartë të këtij organi.

Neni 13 (ndryshimet e propozuara për nenin 31 , shtohet neni 31/1 pika 2) Koment:
“Kriteret dhe afatet në lidhje me kërkesë-propozimet për mbështetje financiare, të parashikuara në shkronjat “a” dhe “c” të pikës 1, të nenit 31, përcaktohen me Udhëzim të Ministrit përgjegjës për turizmin”. Në funksion të transparencës, përcaktimi i këtyre rregullave nuk sugjerohet të bëhet me Udhëzim ministri pasi ky i fundit është edhe miratuesi i dhënies së fondeve.

Neni 13 (ndryshimet e propozuara për nenin 31 , shtohet neni 31/3) Koment: “Miratimi i projekteve dhe veprimtarive në fushën e turizmit nga Agjencia Kombëtare e Turizmit bëhet me Urdhër të titullarit pas propozimit nga kolegjiumi i institucionit përkatës”. Nuk kuptohet qartë në projektligj cfarë nënkupton me “urdhër te titullarit”, cili konsiderohet titullar? Si dhe cili konsiderohet “institucioni përkatës”? Koncepte të cilat sugjerojmë të saktësohen.

Neni 17 (ndryshimet e propozuara për nenin 43, shtohet neni 43/1) Koment: Në gjykimin tonë, regjistrimi i detyrueshëm në QKB do të frenojë zhvillimin e sektorit nëpërmjet platformave online AirBnb, Booking etj. pasi do të rrisë në mënyrë të ndjeshme kostot për sipërmarrësit e vegjël (regjistrimi në QKB kërkon pagesën e sigurimeve shoqërore dhe tatimeve të cilat do të jenë një kosto e shtuar për sipërmarrësit e vegjël individë). Në lidhje me këto platforma mund të parashikohet një regjim i vecantë që t'i lejojë individëve të ofrojnë strukturat e tyre akomoduese pa u regjistruar në QKB (por mund të parashikohet regjistrimi në administratën tatimore) duke parashikuar pagesën e një tarife fikse .

Neni 19 (ndryshimet e propozuara për nenin 45, shtohet neni 45/1 pika 1) Koment: Duhen përcaktuar procedura të thjeshta sidomos lidhur me aktivitete të vogla si vënia në dispozicion e dhomave për plazh/fjetje apo dhe bujtina me 1-6 dhoma. Në këto raste, procedura duhet të jetë e thjeshtuar pasi nuk bëhet fjalë për aktivitet strukture akomoduese e mirëfilltë.
Përndryshe, këto ofrues shërbimi nuk do të regjistrohen dhe në rast kontrolli nga autoritetet do të detyrohen të paguajnë ryshfete për të mos u gjobitur.

“Agroturizmi.” Formulimi i paragrafit nuk është i qartë. Kjo do të thotë që nëse një subjekt do të kërkojë të çertifikohet për veprimtari Agroturizmi duhet të plotësojë njëkohësisht të gjitha kriteret e listuara këtu. Gjithashtu nuk është e qartë nëse çertifikimi bëhet para, gjatë apo pas ndërtimit të faciliteteve të agroturizmit në fjalë.


Neni 23 (ndryshimet e propozuara për nenin 54, shtohen shkronjat “p” dhe “q”) Koment: Në gjykimin tonë, Ligji duhet të parashikojë qartë detyrimet që lindin për mbrojtjen e konsumatorit sipas ligjeve të aplikuara në EU nëpërmjet mekanizmit të pranimit që në momentin e liçensimit dhe të pranojnë zbatimin e detyrueshëm psh të “European Travel Package Directive”- paketë ligjore që siguron standartet për çdo aktor në zinxhirin e ofrimit të shërbimeve turistike / udhëtimit / akomodimit etj. Duke mbajtur në vëmendje gjithashtu, që aktualisht në EU kërkohet edhe Business Insurance për të mbuluar lloje të ndryshme risqesh si dhe ( GDPR) General Data Protection Regulations që rregullon sesi të dhënat janë mbledhur/procesuar dhe ruajtur nga Tour Operators duhet ti paraprijmë në ligj edhe këtyre aspekteve. Kriteret e Ligjshmërisë dhe cilësisë së standarteve janë dhe mjeti kryesor për të luftuar informalitetin dhe mbrojtur konkurencën profesionale në treg.

Neni 29 (ndryshimet e propozuara për nenin 64 pika 1) Koment: Në përputhje me modelet e vendeve europiane, propozohet që të garantohen hapësira publike të së njëjtës sipërfaqe në krah të cdo stacioni plazhi privat. Aktualisht, hapësirat publike në plazh jane të limituara. Ligji duhet të përcaktojë një minimum 50% për hapësirën publike.

Neni 32 (ndryshimet e propozuara për nenin 71) Koment: Kundërvajtjet Administrative janë një cështje që kërkon më shumë vëmendje, dhe më shumë informacion për të dhënë një panoramë të saktë: Kush monitoron afatet dhe arkëtimet? Cili është autoriteti që konstaton, merr masën dhe gjithashtu arkëton vlerën e gjobës?

Duke shpresuar se sugjerimet tona do të merren në konsideratë,

Me respekt,
Dhoma Amerikane e Tregtise

Postuar më: 30.10.2023 04:01

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.