Udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike

Ministria e Drejtësisë

|

Postuar më: 27.12.2023

|

Data e Mbylljes: 24.01.2024

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 3

|

Nr.Shikimeve: 1105

PDF

|

XML

Ky dokument është hartuar në mbështetje të urdhrit nr.57, datë 24.4.2023, të Kryeministrit, “Për disa shtesa në urdhrin nr.94,datë 20.50.2019 të Kryeministrit” ,”Për ngritjen e grupeve ndër institucionale të punes për Integrimin Evropian”, i cili grupin ndërinsitucional të punës, për hartimin e udhërrëfyesit të Shtetit të së Drejtës në kuadër të negociatave për antarësimin e Shqipërise në Bashkimin Evropian, e ngarkon me detyrimin e hartimit të Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës.

Dokumenti është hartuar pas një analize të akteve ligjore dhe kapaciteteve institucionale të institucioneve dhe aktorëve të përfshirë në kriterin politik kryesisht funksionimin e institucioneve demokaratike  në vijim të procesit “screening”.

“Udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike ” është një dokument politik dhe strategjik i cili paraqet masat kryesore që parashikohen të merren në kuadër të procesit të adresimit të gjetjeve të paraqitura nga Komisioni Evropian në raportin e shqyrtimit (screening report) për Shqipërinë për sa i përket Kriterit Politik kryesisht Funksionimit te Institucioneve demokratike. .

Qëllimi i hartimit të tij është të paraqesë masat politike kryesore që vendi ynë merr në procesin e negociatave për anëtarësim në BE për sa i përket Funksionimit të Institucioneve Demokratike si dhe  për ta konsultuar me opinionin e gjerë publik, ekspertë të fushës dhe shoqërinë civile duke plotësuar të gjitha kërkesat për konsultimin publik.
Palët e interesuara janë të ftuar për të paraqitur komentet dhe rekomandimet e tyre për këtë projektligj, brenda 20 ditëve pune nga data e shpalljes së këtij njoftimi, në adresën e email-it të koordinatorit për njoftimin dhe konsultimin publik: Greis.Como@drejtesia.gov.al.

Komentet nga qytetarët

arrow

INSTITUTI I STUDIMEVE POLITIKE

Koment i pergjithshem

Meriton vlerësim fakti se dokumenti është në konsultim publik dhe është përpjekje e parë për të prezantuar një dokument të tillë. Nga faqja e konsultimit mungon një dokument shpjegues të synimeve, mjedisit, treguesve dhe pritshmërive, gjithësesi ne gjykuam mbi dokumentin e vetëm të ofruar (udhëzuesin). Në përgjithësi përshtypja jonë është se dokumenti është i mbingarkuar nga shprehje standarde, angazhime deklarative, shumica të pamatshme, ka elementë të vecantë që nuk qëndrojnë as në aspektin kohor, dhe në përgjithësi në këtë përmbajtje nuk e justifikon emërtimin si "udhërrëfyes për funksionalitetin e institucioneve demokratike". Shpresojmë se në formë finale të jetë produkt më profesional dhe i referueshëm.
Gjithësesi në respekt të konsultimit, stafit të MD por edhe në akordancë me përgjegjësinë tonë si organizatë e shoqërisë civile për tiu përgjigjur mundësisë së shprehjes së opinioneve, po ju dërgojmë disa nga oponimet / vlerësimet tona konkrete;
I. Lidhur me masat e përcaktuara në pikën 1, “Miratimi i një kornize ligjore që adreson rekomandimet e pazbatuara te OSBE-së përmes një procesi konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës, brenda vitit 2024”

Komenti: ISP mendon se është angazhim deklarativ, jo efektiv. Komisioni i Venecias përcakton detyrimin që disa ndryshime ligjore (sistemi zgjedhor, zonat zgjedhore, administrimi i përgjithshëm zgjedhor, formula, etj) të bëhen jo më vonë se një vit përpara zgjedhjeve, pra duhen jetësuar para maj/qershor 2024 dhe jo “brenda vitit 2024” siç theksohet aty. Po ashtu, angazhimi “Votimi i shtetasve shqiptarë me vendbanim të përhershëm jashtë territorit” është detyrim kushtetues që aktet të dalin përpara datës 14 janar 2024, dhe nuk mund të thuhet se dalin deri në 2025 siç është cituar në dokument. Tek “performanca” citohet “zbatimin e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese. nr.38, datë 09.12.2022”, kur afati i opinioneve për këtë dokument përfundon me 24 janar 2024, pra 10 ditë pasi skadon afati kohor i përcaktuar nga GJK.

II. Lidhur me angazhimin “mundësimi i votimit elektronik në një shkallë më të gjerë për të siguruar transparencë dhe kontroll më të madh publik mbi zgjedhjet brenda vitit 2025”.

Komenti: ISP vlerëson se është vendim politik dhe përbën një prej pikave thelbësore të debatit mbi reformën zgjedhore, por ende nuk ka bisedime dhe as konsensus. Dokumenti nuk mund ta shpreh si angazhim dhe masë një ide/premtim që nuk është përgjegjësi dhe as vendimmarrje e qeverisë apo KQZ.

III. Lidhur me angazhimin 1.2 mbi mediat në fushatë elektorale thuhet “përfshirë monitorimin e mediave sociale të miratuar brenda vitit 2024, pas një procesi konsultimi publik”.

Komenti: ISP vlerëson se nuk ofrohet asnjë mekanizëm dhe e dhënë sesi mund të zbatohet kjo. Në Shqipëria nuk ka legjislacion për mediat sociale në fushatë elektorale dhe AMA nuk ka përgjegjësi ligjore në këtë drejtim.

IV. Lidhur me masat e përcaktuara në pikën 2, “Amendimi i Kodit të Sjelljes së deputetëve, për të futur detyrimin që takimet e deputetëve dhe stafit të tyre me OSHC-të dhe lobistët të zhvillohen vetëm me ata që janë të regjistruar në Regjistrin e Transparencës në përputhje me përcaktimet e Vendimit të Komisionit të datës 31 janar 2018 mbi Kodin e Sjelljes”

Komenti: ISP vlerëson se propozimi nuk sjell rritje të transparencës dhe as hapje të parlamentit. Organizata si ISP janë pjesë e këtij regjistri dhe gjatë 3 viteve të fundit ka marrë ftesë për vetëm 4 akte ligjore. Regjistri ka të dhëna për organizata që de facto nuk kanë aktivitet, nuk ekzistojnë, si dhe janë përfshirë në regjistër për shkak të nevojës së kuvendit për të sponsorizuar organizata “pro” mazhorancave të radhës.
Rekomandim: Masë më efektive do të ishte reformimi i Regjistrit, verifikimi real i organizatave dhe lidhja e tyre me aktivitetin parlamentar, parandalimi i konfliktit të interesit, një sistem funksional konsultimi të vazhdueshëm, si dhe reformimi përmes legjislacionit i konceptit “lobim” dhe “lobues”. Organizatat e shoqërisë civile në konceptin europian nuk janë subjekte lobuese, por kryesisht monitoruese dhe sensibilizuese. Lobues janë kryesisht organizata të karakterit financiar ose përfitues në sektorë të ndryshëm, si dhomat e biznesit, sindikatat, bashkimet ekonomike, shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, organizata ndërkombëtare me fokus lobimin, etj.

V. Lidhur me propozimin për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit për të zgjeruar zbatimin e Post Kontrollit të ligjshmërisë jo vetëm për ligjet e përafruara me acquis të BE-së, por edhe në aktet normative që kanë fuqinë e ligjit deri në vitin 2026;
Komenti: ISP vlerëson se angazhimi nuk sjell ndryshim cilësor dhe aktualisht këtë proces nuk e pengon rregullorja. Është funksion kushtetues i Kuvendit mbikëqyrja parlamentare, përfshirë jetësimi i ligjeve që miraton. Aktet normative janë vetëm një pjesë e problemit, ligjet e personalizuara janë shumë më shqetësuese, ndërkohë që sugjerim ynë është që kontrolli postlegjislativ të bëhet për çdo akt parlamentar (zakonisht Kuvendi miraton jo më shumë se 10 ligje të plota në vit), pjesa kryesore vendimmarrëse e Kuvendit janë vendimet, ratifikimet, rezolutat, amendimet ligjore, pra jo ligjet e plota.

VI. Tek kategoria lidhur me Kuvendin (2.1) pjesa më e madhe e angazhimeve, masave etj;

Komenti: ISP vlerëson se ato janë deklarative, nuk janë të matshme, nuk kanë objekt konkret dhe nuk kanë afate që janë në përputhje edhe me legjislacionin aktual. Për shembull, angazhimi “Rritja e pjesëmarrjes së OSHC-ve dhe grupeve të interesit në mbledhjet e komisioneve parlamentare gjatë procesit ligjbërës dhe mbikëqyrës si dhe gjatë ushtrimit të funksionit zgjedhor të Kuvendit. (Afati i fundit: 2024-2030), është frazë e përdorur në të gjitha dokumentet strategjike të 15 viteve të fundit, por pa zbatim real dhe pa tregues real funksionaliteti.

Rekomandim: Një propozim real do të ishte, për çdo ligj komisionet janë të detyruara të vlerësojnë rekomandimet dhe vlerësimet që vijnë nga shoqëria civile e regjistruar në Regjistrin e OJF në Kuvend dhe se kërkesat për seancë dëgjimore nuk refuzohen, dhe se rekomandimet e ardhura i bashkëngjiten dokumenteve të Kuvendit që shkojnë në seancën plenare, etj.

VII. Lidhur me angazhimin “Disponueshmëri më në kohë dhe më miqësore për përdoruesit e dokumentacionit zyrtar parlamentar për shoqërinë civile, median, palët e tjera të interesuara dhe publikun..”

Komenti: ISP vlerëson se janë gjithashtu fraza deklarative. Në praktikën tonë ne porositim dokumente në Kuvend, për të cilat paguajmë dhe të cilat do të duhet të ishin publike, si p.sh., CV e kandidatëve që konkurrojnë për poste të ndryshme të zgjedhur nga Kuvendi.
Rekomandim: A mund të sigurohet që Kuvendi të japë akses të plotë në dokumentacion për aktet që ndërmerr, CV e kandidatëve që zgjidhen në funksione prej Kuvendit, për stafin parlamentar, për nismat parlamentare, për vendimmarrjet në strukturat drejtuese, për procesin konsultues që zhvillohet etj? Kjo po do të ishte ndryshim cilësor për transparencë.

VIII. Lidhur me angazhimin “Organizimi i proceseve të zgjedhjeve/emërimeve të kryetarëve dhe anëtarëve të institucioneve të pavarura sipas afateve ligjore dhe vendeve vakante të krijuara, pa vonesa dhe duke siguruar zbatimin e parimeve të paanshmërisë, pavarësisë dhe transparencës. Afati: 2024-2030”.
Komenti: ISP vlerëson se duket utopike dhe deklarative. Kuvendi aktual sapo mbylli vitin kalendarik me 22 vende vakante, disa prej të cilave prej më shumë se një viti (Avokati i Popullit, etj). Si do të jetësohet ky premtim? Mungojnë mekanizmat e garancisë

IX. Lidhur me disa masa/angazhime si “Përmirësimi i rolit mbikëqyrës të Kuvendit mbi ekzekutivin duke shtuar përdorimin e instrumenteve të kontrollit nga deputetët (pyetje, interpelanca, seanca dëgjimore në komisionet parlamentare, mocione, vizita, etj.) si dhe duke rritur aktivitetet e nënkomisioneve parlamentare. Afati: 2023-2030” apo “Ushtrimi sistematik i funksionit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj veprimtarisë së qeverisë, lidhur me zbatimin e ligjeve dhe politikave, nëpërmjet: Përdorimit më intensiv të interpelancave, pyetjeve, mocioneve për debat në seancat plenare, seancave dëgjimore në komisionet parlamentare, kërkesave për informacion, etj. (Afati: 2024-2030)” apo “Rritja e përdorimit të instrumenteve të kontrollit nga deputetët (pyetje, interpelanca, seanca, mocione, vizita, etj.) (Afati: 2024-2030)”

Komenti: ISP vlerëson se në thelb janë të njëjta, përsëritje dhe duke se janë vendosur për të rritur numrin formal të angazhimeve/masave. Për më tepër, kjo ndërvaret nga vullneti i vetë deputetëve dhe nuk mund të realizohet në këtë formë të paraqitur, ndërkohë që koncepti “komisione hetimore” që është më i ulët në hirarki sesa “mocione” nuk është përfshirë ne asnjërën kategori. Termi “komisione parlamentare” nuk do të thotë “komisione hetimore”, janë dy koncepte dhe emërtesa të ndryshme.

X. Lidhur me angazhimin tek “integriteti”, “për luftimin e ryshfetit të zyrtarëve të huaj publikë nëpërmjet ratifikimit..”

Komenti: ISP vlerëson se nuk është prioritet dhe problem kryesor për ne, - problem kryesor nuk janë zyrtarët e huaj, por konflikti i interesit në vendimmarrje nga deputetët dhe mungesa e një mekanizmi të qartë raportues, parandalues, monitorues dhe reagues në këto raste.

XI. Lidhur me propozimin “Raporti vjetor i Avokatit te Popullit publikohet para se të prezantohet në Kuvend”
Komenti: ISP vlerëson se jetësimi i tij nuk sjell ndonjë ndryshim cilësor. Shumica e institucioneve publikojnë raportet para se të diskutohen në Kuvend dhe nuk reflektojnë ndonjë variant final mbi kritikat apo diskutimet që shkarkojnë këto raporte në komisione ose në seancat plenare. Pra nuk janë raporte ndëraktive, por formale, rutinore, statistikore dhe si të tilla, nuk e përmbushin pritshmërinë publike dhe as nevojat e parlamentit për të mbikëqyrur me cilësi aktivitetin e institucioneve të pavarura.

XII. Lidhur me angazhime si “Procedurat administrative të procesit të dhënies së granteve të AMSHC do të përmirësohen brenda vitit 2025” apo “Funksionaliteti i plotë i platformës online për ndjekjen e procesit të granteve është do të aktivizohet brenda vitit 2025;

XIII. Komenti: ISP vlerëson se ekzistenca e AMSHC, funksionaliteti i tij dhe impakti lidhur me shoqërinë civile do të duhet të merret në shqyrtim, (ne bazuar në të dhënat tona mendojmë se është prej vitesh jo funksional dhe jo transparente), dhe se premtimi i përmirësimit të dhënies së granteve është tregues se sistemi aktual nuk është transparent. Platforma online është tregues formal dhe nuk sjell rritje të transparencës dhe as llogaridhënies në këtë rast. I njëjti vlerësim vlen edhe për KKSHC, i cili do të duhet të vlerësohet efektiviteti i deritanishëm për të adresuar rekomandime më realiste dhe funksionale.

XIV. Lidhur me pikën 3.2. Regjistri elektronik i OSHC-ve pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor është funksional brenda vitit 2023.

Komenti: ISP vlerëson se viti 2023 është mbyllur dhe ende ky regjistër nuk funksionon dhe nuk ka prova se ekziston si i tillë. Vendimi 35, datë 26.01.2022 I KLGJ ende nuk ka gjetur zbatim praktik.

Së fundi, disa tematika me interes, - sistemi i të dhënave personale, krimet zgjedhore, përdorimi i burimeve shtetërore, kontrolli informal dhe financimi informal në media, koncepti i monopolit në media, konflikti i interesit në jetën parlamentare por edhe në disa institucione të tjera që citohen në dokument, programi i detyrueshëm i transparencës, sistemi online jo funksional i Kuvendit me institucionet, reformimi i legjislacionit të partive politike, jetësimi i kontrollit të KLSH mbi buxhetin shtetëror të partive, jetësimi i plotë i vendimeve të GJK, adresimi jo vetëm i rekomandimeve teknike të ODIHR, por edhe edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, etj, do të duhej të ishin pjesë e dokumentit.







Postuar më: 04.01.2024 02:21

arrow

KOMITETI SHQIPTAR I HELSINKIT

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është njohur me ftesën e përcjellë nga ana Juaj për ofrimin e mendimeve e sugjerimeve, në kuadër të konsultimit publik, të Udhërrëfyesit për Funksionimin e Institucioneve Demokratike.
Që në krye të herës, KShH vlerëson në tërësi nismën e ndërmarrë dhe mirëpret marrjen e masave konkrete për hartimin e Planit të Veprimit, i cili do të qartësojë dhe konkretizojë masat e parashikuara në këtë Udhërrëfyes. Në vijim, dëshirojmë të ndajmë me ju disa mendime e sugjerime tonat lidhur me përmbajtjen e këtij projekt-akti:
• Sa i përket seksionit nr. 1 “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme”:
KShH vlerëson angazhimin e institucioneve shqiptare për të miratuar një kornizë ligjore që adreson rekomandimet e pazbatuara të OSBE-së, si kusht për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në vlerësimin tonë, mbetet themelor organizimi i një procesi konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës, me institucionet, aktorët politikë dhe dhe organizatat e shoqërisë civile të angazhuara në monitorimin dhe studimin e çështjeve zgjedhore. Duke mbajtur parasysh zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025, të cilat janë të afërta nga pikëpamja kohore, është i rëndësishëm përcaktimi i afateve të qarta të veprimit, për propozimin e ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor.
Në këto moment, qëndron thelbësore të përmendet nevoja për të respektuar parimet e vendosura nga Komisioni i Venecias, duke specifikuar kryesisht respektimin e parimit për të mos zhvilluar ndryshime në legjislacionin dhe praktikën zgjedhore në një periudhë më të shkurtër se një vit përpara datës së zgjedhjeve. Kësisoj, duke qënë se reforma duhet përmbyllur maksimalisht brenda muajit Maj të këtij viti, kalendari i kryerjes së reformës vlerësohet tejet i ngushtë për të arritur rishikimin e plotë dhe gjithëpërfshirës të legjislacionit zgjedhor, sipas parashikimeve të bëra në këtë dokument. Një ndër aspektet më problematike për t’u përmbushur në kohën e mbetur është përmbushja e detyrimit për jetësimin e ushtrimit të së drejtës së votës nga shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
KShH vlerëson se adresimi i çështjeve të identifikuara, përmes miratimit të legjislacionit të ri zgjedhor, nën dritën e rekomandimeve të OSBE-së dhe sugjerimeve të organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës së legjislacionit zgjedhor, duhet të jetë i plotë, i gjithëanshëm dhe jo selektiv. Reforma zgjedhore nuk duhet të jetë monopol i partive politike, ndaj kjo vlerësojmë se duhet të pasqyrhet qartazi në udhërrëfyes. Rëndësi prioritare duhet t’i jepet plotësimit të vakumit ligjor të krijuar nga vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese, për shfuqizimin e neneve të Kodit Zgjedhor.
Në këtë kuadër, procesi i propozimit të ndryshimeve në legjislacionin e ri zgjedhor, duhet të paraprihet dhe shoqërohet me një fazë studimi të kujdesshëm dhe konsultimi transparent, gjithpërfshirës, dhe efektiv të tij. Si rrjedhojë e problemeve të identifikuara në mënyrë të herëpashershme, KShH vlerëson se financimi i partive politike dhe fushatave zgjedhore si dhe ndalimet për shpërdorimin e burimeve publike paraqesin një nevojë të shtuar për t’u ndalur dhe adresuar. Krahas miratimit të legjislacionit detyrues për subjektet zgjedhore, mbetet veëanërisht i rëndësishëm promovimi dhe mbështetja për krijimin e institucioneve efikase për monitorimin e financave të fushatës dhe subjekteve zgjedhore si dhe shpërdorimin e burimeve publike nga subjektet zgjedhore.
 Sa i përket seksionit nr. 2 “Funksionimi i Kuvendit”:
Një fokus të veëantë në amendimin e Kodit të Sjelljes sugjerojmë se duhet t’i dedikohet fenomenit të ‘lobizmit’, sa i përket rritjes së kapacitetit të deputetëve për masat që duhen ndërmarrë për formalizimin e këtij fenomeni, dallimin e tij në raport me konfliktin e interesit, si dhe ndërgjegjësimin e palëve të interesit (siç mund të jetë shoqëria civile) në formalizimin e veprimeve lobiste.
Sië edhe më herët KSHH ka analizuar nëpërmjet Raportit Studimor “Instrumentet ligjorë dhe sfidat e angazhimit të qytetarëve dhe të shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse dhe legjislative të Kuvendit” , sugjerojmë ndryshimin e Rregullores së Kuvendit sa i përket efikasitetit të mekanizmit të peticionit. Formulimi i Nenit 104 të Rregullores së Kuvendit dikton nevojën për rregullim më të plotë dhe të detajuar në dispozitat e saj me qëllim që e drejta e peticionit të jetë lehtësisht e realizueshme dhe organet parlamentare të kenë përgjegjësinë maksimale për shqyrtimin me rigorozitet të ëdo peticioni. Kjo do të ndihmonte në rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucioni më i rëndësishëm që ushtron pushtetin legjislativ në vendin tonë, Kuvendi i RSH-së. Format për paraqitjen e peticioneve rekomandohen të jenë alternative, duke iu përshtatur trendeve të teknologjisë së informacionit (e-peticioni), duke garantuar një nivel më të mirë unifikimi të praktikës parlamentare të shpërndarjes dhe shqyrtimit të tij, etj. Në procedurat parlamentare, rekomandojmë të parashikohen shprehimisht garancitë e procesit të rregullt ndaj dërguesve të peticionit. KShH ka sugjeruar më herët rishikimin e kuadrit rregullator të Kuvendit duke marrë në konsideratë modelin gjerman të peticioneve, pasi parashikon elementë të rëndësishëm të kësaj të drejte, të tillë si: mundësia e hetimit administrativ, përcaktimi i afateve të shqyrtimit të peticionit, ballafaqimi me autoritetet, mundësia për të zhvilluar dëgjesë me përfaqësuesit e autoriteteve, me nënshkruesit e peticionit, ekspertë apo dëshmitarë, njoftimi në mënyrë të arsyetuar i nënshkruesit të peticionit për vendimmarrjen e parlamentit.
Përpos disponueshmërisë në përmirësimin e informacionit të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, sugjerojmë standardizimin e formateve të dokumentacionit parlamentar me qëllim garantimin e konsistencës dhe kuptueshmërisë kundrejt palëve të interesit. Hartimi i udhëzuesve elektronikë, në një gjuhë miqësore, që garanton aksesueshmërinë e informacionit në faqen e Kuvendit edhe nga kategoritë vulnerabël të shoqërisë, si personat me paaftësi fizike, hulumtuesit e rinj etj.
Sa i përket rritjes së pjesëmarrjes së OSHC-ve dhe grupeve të interesit në mbledhjet e komisioneve parlamentare gjatë procesit ligjbërës dhe mbikëqyrës si dhe gjatë ushtrimit të funksionit zgjedhor të Kuvendit, sugjerojmë ngritjen e një mekanizmi të qëndrueshëm, të administrueshëm nga stafi i Kuvendit në bashkërendim me një grup deputetësh përfaqësues të forcave të ndryshme politike, me qëllim që organizatat të ftohen në seanca dëgjimore për projektligje të veçanta, ato të konsultohen rregullisht dhe jo mbi baza konsultative, përfshi këtu edhe konsultimin për rezolutat e raporteve vjetore të institucioneve të pavarura. Në këtë proces, rëndësi parësore merr dhënia e përgjigjeve ndaj organizatave të konsultuara, për rekomandimet e marra në konsideratë dhe njohjen me arsyetimin e përmbledhur të shkaqeve për rekomandimet që nuk merren në konsideratë. Ndërkohë, lidhur me Regjistrin e Transparencës sugjerojmë rishikimin e tij dhe hartimin e një liste më të plotë të OSHC-ve të cilat realisht ushtrojnë veprimtari që do t’i shërbente përmirësimit të mëtejshëm të punës së deputetëve dhe të Komisioneve përkatëse të Kuvendit.
Sugjerojmë rritjen e përfshirjes së OSHC-ve të lokalizuara në zonat rurale, proaktive në fusha të caktuara dhe në juridiksione konkrete territoriale, grupeve informale dhe palëve të interesit, nëpërmjet forcimit të përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së deputetëve në organizimin periodik e eficent të ditëve të takimit me qytetarët (në kuadër të Javës së Gjelbër). Nismat e ndërmarra në kuadër të përafrimit të legjislacionit me atë acquis dhe reformimet e sugjeruara, vlerësojmë se kërkojnë rritjen e kapaciteteve të Kuvendit për ndërgjegjësimin e informimin e publikut në masë, nëpërmjet fushatave e aktiviteteve në terren dhe në media.
Në vijim, parashikimet mbi përmirësimin e rolit mbikëqyrës së Kuvendit mbi ekzekutivin përmes përdorimit të shtuar të instrumenteve të kontrollit nga deputetët, janë parashikime që varen nga vullneti i vetë deputetëve dhe Udhërrëfyesi nuk parashikon asnjë masë konkrete, objektive dhe të matshme se si do të zbatohet ky parashikim. Në kët drejtim, sugjerojmë krijimin e programeve të trajnimit të detyrueshëm (fillestar e vazhdues) nga Instituti Parlamentar, me synim përdorimin efektiv nga ana e deputetëve të instrumenteve të kontrollit qoftë me anë të Komisioneve Parlamentare, Nën-Komisioneve por edhe në Seancë Plenare. Publikimi i raporteve, gjetjeve të komisioneve dhe nënkomisioneve parlamentare, si dhe të dhënave, që kanë rezultuar nga ushtrimi i kontrollit parlamentar, sugjerojmë se do t’i shërbente informimit të publikut. Gjithashtu, do të ishte e rekomandueshme krijimi i mekanizmave që mundësojnë vlerësimin periodik të impaktit dhe eficiencës së përdorimit të masave mbikqyrëse parlamentare.
Vlerësojmë se në kuadër të garantimit të transparencës dhe llogaridhënies së deputetëve, Kuvendi duhet të marrë masa konkrete për ngritjen e platformave të dedikuara online që ofrojnë të dhëna të aksesueshme në kohë reale nga publiku, lidhur me burimet financiare, të ardhurat dhe lidhjet me subjekte të ndryshme private, të deputetëve të mandatuar. Seksioni i dedikuar “Pyet deputetin” në faqen zyrtare të Kuvendit, duhet të shërbejë si një mekanizëm jo më formal, por funksional, për ti dhënë shoqërisë civile dhe qytetarëve mundësinë e komunikimit të drejtëpërdrejtë me deputetët, në përputhje dhe me vetë synimin e këtij mekanizmi.
Sa i përket integrimit të procesit të e-legjislacionit në hallkën e vetme të ligjbërjes, sugjerohet marrja e masave nga ana e Kuvendit për identifikimin e mundësive për automatizimin e proceseve të punës brenda sistemit legjislativ, për aq sa mund të lejohet. Zbatimi i mjeteve/mekanizmave monitorues për të gjurmuar performancën dhe përdorimin e sistemit e-Legjislacioni, do të kërkonte vlerësimin e efikasitetit të tij dhe grumbullimin e reagimeve nga përdoruesit e sistemit.
KShH vëren se mungojnë në vijim mënyrat e zbatimit edhe për masat mbi “organzimin e procesve të zgjedhjeve/emërimeve të kryetarëve dhe anëtarëve të institucioneve të pavarura sipas afateve ligjore dhe vendeve vakante të krijuara, pa vonesa dhe duke siguruar zbatimin e parimeve të paanshëmrisë, pavarësisë dhe transparencës”. Edhe në këto procese, Kuvendi duhet të përqafojë metodat e konsultimit publik, të cilat rezultojnë të munguara, ndërkohë që shumica e krerëve të këtyre institucioneve që zgjidhen me shumicë të thjeshtë apo absolute, prej afro tre dekadash reflektojnë vullnetin e shumicës parlamentare. Deri më tani përgjatë veprimtarisë së tij Kuvendi është përballur me vonesa në organizimin e këtyre proceseve dhe duhet që të parashikohen mekanizma efikas zhbllokues konkretë.
 Sa i përket seksionit nr. 3 “Shoqëria Civile”:
Sa kohë që amendimi i kuadrit ligjor për Këshillin Kombëtar të Shoqërisë Civile (KKSHC) parashikohet si një masë strategjike, sugjerojmë reflektimin e hapave konkretë lidhur me zbatueshmërinë e saj, pasi në projekt-aktin e konsultuar rezultojnë plotësisht të munguara. Rregullimi i ri ligjor i KKSHC duhet të parashikojë rritjen e përpjekjeve efektive, për konsolidimin e bashkëpunimit, konsultimit dhe koordinimit institucional ndërmjet aktorëve të shoqërisë civile. Me synim mirëfunksionimin e mekanizmit monitorues të udhërrëfyesit të miratuar për një mjedis të favorshëm për shoqërinë civile, sugjerojmë marrjen e masave për organizimin e një forumi konsultativ mbi baza periodike, me synim ndërmjetësimin e dialogut, shkëmbimin e perspektivave të ndryshme dhe kontribuimin në zhvillimin e një kornize të fuqishme monitorimi.
Është e rekomandueshme që ndryshimet ligjore lidhur me përbërjen dhe funksionimin e KKSHC-së të shoqërohen me fuqizimin e kapacitetit të një njësie task-forcë përgjegjëse monitoruese, të pozicionuar në rol vlerësues, asnjanës dhe objektiv, e jo me detyra konkrete në Këshill. Rritja e kapaciteteve të tyre mund të realizohet nëpërmjet programeve të trajnimit vazhdues mbi kuadrin ligjor të amenduar, metodologjitë monitoruese dhe lehtësimin e risqeve. Ngritja e një njësie me ekspertizë në fushën ligjore dhe atë rregullatore do të ishte e rekomandueshme.
Rekomandohet parashikimi i funksionalitetit të plotë të mekanizmave administrues në zbatimin e dokumentacionit të standardizuar dhe jetësimin e një sistemi raportimi periodik, të aftë për të dokumentuar progresin, sfidat dhe arritjet cilësore e rezultative të udhërrëfyesit të implementuar. Rritja e kapaciteteve të stafit përgjegjës të Këshillit për publikimin e të dhënave të këtyre raporteve, si dhe përditësimin sistematik të informacionit në faqen zyrtare/platformën publike të Këshillit ndihmon në promovimin e transparencës.
Për shkak të misionit të KSHH në dhënien e kontributit për respektimin e të drejtave dhe lirive të shtetasve, nëpërmjet luajtjes së rolit proaktiv monitorues sugjerojmë mbajtjen në konsideratë në përmirësimin e procedurave administrative të procesit të dhënies së granteve të AMSHC-së ndaj OSHC-ve, duke ruajtur dhe promovuar pavarësinë e individualitetit e tyre si organizma joqeveritarë. Funksionaliteti i plotë i platformës online të grant-dhënies duhet të mundësojë mirë-funksionimin e mekanizmave të shqyrtimit të ankesave, si dhe ndjekjen periodike në mënyrë transparente të të gjithë procesit të shqyrtimit të një projekt-ideje. Marrja e masave konkrete për promovimin e fuqizimit të partneritetit publik-privat (PPP) dhe formave inovatore të Obligacioneve të Ndikimit Social (ONS) do të shërbente në forcimin e qëndrueshmërisë së shoqërisë civile, fokusuar në ato të përfshira në programe sociale kundrejt grupeve vulnerabël e atyre të margjinalizuara.
Sa i përket kornizës kombëtare për OSHC-të, vlerësojmë se duhet shtuar marrja e masës strategjike për ndryshimin e ligjit nr. 81/2020 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse” në përputhje me vendimmarrjen e shpallur më dt. 20.11.2023, lidhur me pranimin e pjesshëm të kërkesës së depozituar nga KSHH mbi shfuqizimin e disa prej dispozitave cënuese të lirisë së organizimit. Sugjerojmë ndryshimin e afatit të përcaktuar lidhur me funksionalitetin e regjistrit elektronik të OJF-ve, pasi ky regjistër nuk ka qenë funksional brenda vitit 2023 , pavarësisht se vendimi i KLGJ-së nr. 35/2022, ka përcaktuar afatin 30 dhjetor 2023 si datë e vënies në funksion të tij. I njëjti sugjerim vlen për ndryshimin e afatit të masës zbatuese, sa i përket kapaciteteve të KLGJ-së për të siguruar funksionimin e sistemit dixhital për regjistrimin e OSHC-ve, të cilat nuk vlerësohen si të përmbushura brenda vitit 2023. Sugjerojmë gjithashtu që çdo ndryshim në këtë ligj apo ligje të tjera që prekin sektorin e OSHC-ve, të konsultohet paraprakisht dhe efektivisht, duke shmangur praktikën jopozitive të miratimit të këtij ligji, i cili u konsultua në afate të ngushta kohore dhe nuk pati asnjë reagim për sugjerimet/rekomandimet e pranuara apo të refuzuara nga Ministria e Drejtësisë.
Rekomandojmë harmonizimin e parashikimeve strategjike të reflektuara në projekt-akte të ndryshme, duke mbajtur në konsideratë standardet më të mira të reflektuara në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP) dhe Planin e Veprimit 2022-2024 të hartuar për këtë qëllim. Sugjerojmë përfshirjen në procese të konsultimit publik të një fushe më të zgjeruar të projekt-akteve (përfshirë ato të qeverisë), ndërkohë që sugjerojmë fuqizimin e mekanizmave të shmangies së formalizmave dhe fuqizimit e promovimit të eficencës së procesit nëpërmjet përfshirjes demokratike e promovimit të pjesëmarrjes qytetare në politikëbërje.
Ndërkohë që mbetet për t’u qartësuar se cilat do të jenë mjetet digjitale që do të përdoren për të siguruar një konsultim më të gjerë publik, sugjerojmë marrjen e masave për publikimin rigoroz dhe konform parashikimeve ligjore të ligjit nr.146/2014 të raporteve të transparencës në procesin vendimmarrës. Rekomandojmë marrjen e masave për garantimin e qëndrueshmërisë së koordinatorëve për njoftimin dhe konsultimin publik në secilin institucion përgjegjës dhe ky pozicion të ushtrohet nga nëpunës civilë të nivelit të mesëm ose të lartë drejtues, për të siguruar ushtrimin e autoritetit të nevojshëm në të gjitha nivelet e punonjësve dhe strukturat e institucioneve për zbatimin e ligjit nr.146/2014. Sugjerojmë përcaktimin e detyrueshmërisë së publikimit në një nga format e njoftimit, të rekomandimeve të grupeve të interesit që nuk janë marrë në konsideratë dhe përmbledhje të arsyeve për mospranimin e tyre. Me qëllim vënien e fokusit kundrejt grupeve vulnerabël e të margjinalizuara të shoqërisë, rekomandojmë marrjen e masave nga institucionet përgjegjëse për të kontribuar në hartimin e qasjeve metodologjike dhe formateve të thjeshta e të kuptueshme për publikun e gjerë dhe palët e interesit, të cilët synojnë përfshirjen në procesin e konsultimit publik. Në këtë kuptim, ne vërejmë se shumë projektligje të rëndësishme po konsultohen vetëm me anë të regjistrit elektronik të konsultimit, ndërkohë që të gjitha Ministritë duhet të harmonizojnë këtë formë konsultimi me tryezat e dëgjesës nga afër me grupet e interesit dhe OSHC-të në tërësi. Vlerësohet e domosdoshme nxitja e një qasjeje monitoruese dhe vlerësuese nga ana e institucioneve eprore, ndaj atyre të varësisë, lidhur me zhvillimin e indikatorëve krahasimorë dhe analizues, të suksesit, vështirësive e sfidave me të cilat haset procesi i njoftimit dhe konsultimit publik.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, shpresojmë që sugjerimet e rekomandimet e adresuara të përmirësojnë sadopak përmbajtjen e projekt-aktit të konsultuar!

Postuar më: 22.01.2024 12:26

arrow

PARTNERET - SHQIPERI PER NDRYSHIM DHE ZHVILLIM

Në vijim të njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë në platformën konsultimipublik.gov.al të datës 27 dhjetor 2023, në lidhje me konsultimin me palët e interesuara të Dokumentit “Udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike”, ju paraqesim si më poshtë vijon disa komente dhe rekomandime lidhur me çështjet që trajton Udhërrëfyesi.
Komente të përgjithshme
Në faqen e konsultimit mungon një relacion shpjegues, si dokument shoqërues i Udhërrëfyesit, i cili të paraqesë një përmbledhje shpjeguese të përmbajtjes, qëllimin dhe objektivat që synohen të arrihen, e të tjera elementë të nevojshëm.
Dokumenti ka një gjuhë shumë të përgjithshme dhe në pjesën më të madhe të tij, përmbajtja nuk është e formuluar sic duhet, në përgjigje të titujve të paraqitur. Mbetet e nevojshme të plotësohet e zhvillohet më tej, me një përmbledhje dhe analizë më specifike për secilën prej prioriteteve të vendosura, si dhe të shtohen rubrika të tjera që e bëjnë dokumentin Udhërrëfyes sa i përket zbatimit të masave (psh. institutionet përgjegjëse, partnerët në zbatim, treguesit e zbatimit, afatet etj.).
Afatet kohore që janë paraqitur, në shumicën e rasteve ose janë shumë të përgjithshme dhe të tejzgjatura në kohë (deri në vitin 2030) ose janë afate të tejkaluara tashmë (brenda 2023) ndërkohë që masat respektive nuk janë realizuar.

Komente lidhur me masat specifike dhe zbatimin

Si më poshtë po paraqesim disa komente dhe rekomandime konkrete sipas masave të paraqitura në udhërrëfyes:
I. Lidhur me masat e përcaktuara në Fushën 2. Funksionimi i Kuvendit, Objektivi 2.1. Amendimi i Kodit të Sjelljes së deputetëve, për të futur detyrimin që takimet e deputetëve dhe stafit të tyre me OSHC-të dhe lobistët të zhvillohen vetëm me ata që janë të regjistruar në Regjistrin e Transparencës në përputhje me përcaktimet e Vendimit të Komisionit të datës 31 janar 2018 mbi Kodin e Sjelljes për Anëtarët e Komisionit Evropian, neni. 7 si dhe publikimin e procesverbalit të mbledhjes deri më 2029.

Koment. Detyrimi për deputetët dhe stafin e tyre nuk mund të limitohet vetëm me ata që janë të regjistruar në Regjistrin e Transparencës. Takimet duhet të jenë të hapura dhe njoftimet duhet të jenë publike në faqen e Kuvendit. Në lidhje me lobistët, mbetet e nevojshme të qartësohet termi lobist dhe të hartohet një ligj apo akte të tjera që përkufizojnë dhe rregullojnë aktivitetin e lobistëve.


II. Sërish lidhur me Objektivin 2.1., në kolonën e zbatimit dhe kapacitetit, parashikohet hartimi i një plani pune për arritjen e standardeve dhe treguesve të transparencës 2024-2025.

Koment. Rekomandojmë të shtohet “....pas një procesi të gjerë konsultimi publik me organizatat e shoqerise civile dhe grupet e interesit”. Gjithashtu është e nevojshme të shtojmë “Hartimin e raporteve periodike në lidhje me realizimin e planit të punës për arritjen e standardeve dhe treguesve të transparencës. Përfshirja e OJF-ve dhe grupeve të interesit në procesin e monitorimit të planit. Përfshirja e OJF-ve dhe grupeve të interesit në takime konsultuese të raportit të monitorimit të planit, përpara miratimit të tij në Kuvend”.

Po lidhur me Objektivin 2.1, në kolonën e zbatimit dhe kapacitetit, parashikohet rritja e pjesëmarrjes së OSHC-ve dhe grupeve të interesit në mbledhjet e komisioneve parlamentare gjatë procesit ligjbërës dhe mbikëqyrës si dhe gjatë ushtrimit të funksionit zgjedhor të Kuvendit.

Koment. Përtej rritjes së pjesëmarrjes, mbetet e nevojshme të ketë një angazhim në terma më konkretë që dëshmojnë për efektivitetin dhe impaktin e procesit. Krijimi i një procedure standard që detyron komisionet të japin vlerësimet e tyre mbi rekomandimet që vijnë nga OJF-të dhe grupet e interesit, marrjen ose jo parasysh të tyre së bashku me argumentimet përkatëse, në përputhje edhe me legjislacionin për konsultimin publik.

III. Në lidhje me Fushën 3, Roli i Shoqërisë Civile.

Koment. Afatet kohore të parashikuara për disa nga masat, nuk janë në linjë me të tjerë dokumente strategjikë si “Udhërrëfyesi për politikën qeverisëse drejt një mjedisi mundësues për zhvillimin e shoqërisë civile 2019–2023, i rishikuar”. Për masa të parashikuara në të dy Udhërrëfyesit, është e nevojshme të unifikohen aktivitetet, treguesit, afatet dhe institucionet përgjegjëse.

IV. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.1. Kuadri ligjor rreth shoqërisë civile, Masa. Korniza legjislative për Këshillin Kombëtar ndryshohet për të përmirësuar funksionimin e tij dhe për të siguruar përfshirje më të madhe të institucioneve publike dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile brenda vitit 2026.

Koment. Këshilli Kombëtar për Shoqërinë Civile (KKSHC) është organi këshillues për dialogun dhe bashkëpunimin me OJF-të, funksion i cili mbetet i papërmbushur ndër vite. Përmirësimi i funksionimit nuk ka lidhje aq me ndryshimin e kornizës legjslative, sesa me zbatimin e ligjit. Ndër vite, megjithëse ligji përcakton zhvillimin e mbledhjeve periodike që thirren nga Kryetari i KKSHC, mbledhjet nuk zhvillohen ose dhe në rastet që zhvillohen janë shumë formale dhe limitohen në miratimin e anëtarësisë dhe jo në diskutimin e cështjeve prioritare për sektorin e OJF-ve. Edhe nëse do ketë ndryshime dhe përmirësime në kuadrin ligjor, mbetet i nevojshëm zbatimi i ligjit. Transparenca e veprimtarisë së KKSHC dhe publikimi i veprimtarisë së saj, përfshi mbledhjet periodike, diskutimet dhe monitorimi i masave/aksioneve të propozuara, rritja e bashkëpunimit me sektorin jofitimprurës, mbeten shumë të nevojshme për përmirësimin e funksionimit të KKSHC. Bazuar në sa më lart, përmirësimi i funksionimit nuk është e nevojshme të presë deri në 2026 kur të ndodhin ndryshimet ligjore, por duhen marrë masa të menjëhershme për përmirësim.


V. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.1. Kuadri ligjor rreth shoqërisë civile, Masa. Miratimi i raportit të vlerësimit të monitorimit për udhërrëfyesin 2019-2023.

Koment. Është e nevojshme të shtohet, që miratimi i raportit të bëhet pas bërjes publike të draft raportit dhe konsultimit me shoqërinë civile. Nga praktika ndër vite, rasti është ose që nuk ka fare një raport vlerësimi të Udhërrëfyesit, ose që ka një raport që ndahet nga qeveria, e për të cilin nuk ka asnjë shpjegim si është bërë monitorimi, kush e ka bërë, cilat organizata të shoqërisë civile apo grupe interesi kanë qenë të përfshirë etj. Për rrjedhojë, vlerësimi nuk ka qenë realist dhe ka qenë në kundërshtim edhe me shumë raporte të tjera të organizatave të shoqërisë civile apo dhe raportet e progresit të BE. Ndaj, mbetet e nevojshme të shtohet si detyrim në këtë masë, konsultimi me OJF-të dhe grupet e interesit dhe miratimi i raportit pas konsultimeve.

VI. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.1. Kuadri ligjor rreth shoqërisë civile, Masa. Miratimi i Udhërrëfyesit të ri për mjedisin mundësues për OSHC-të 2024-2027 brenda vitit 2024.

Koment. Është e nevojshme sërish të parashkohet, miratimi i udhërrëfyesit pas një
konsultimi të gjerë me OJF-të dhe grupet e interesit. Udhërrëfyesi i ri duhet hartuar
bazuar në një vlerësim sa më real të Udhërrëfyesit të mëparshëm, në linjë me
dokumente të tjerë strategjikë të miratuar (si ky Udhërrëfyes) dhe në linjë me
Udhëzuesin e BE për mbështetjen e shoqërisë civile për vendet e zgjerimit.

VII. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.1. Kuadri ligjor rreth shoqërisë civile, në kolonën e zbatimit dhe kapacitetit, parashikohet “Procedurat administrative të procesit të dhënies së granteve të AMSHC do të përmirësohen brenda vitit 2025”.

Koment. Në lidhje me AMSHC dhe funksionimin e saj, mbetet e nevojshme të bëhet një transparencë e plotë e veprimtarisë së saj. Nëse parashikohet përmirësimi i procedurave administrative të procesit të grantdhënies, është e nevojshme të paraqitet në mënyrë eksplicite si bëhet transparenca. Përcaktimi i masave si përgatitja e raporteve të impaktit të granteve, publikimi i shumës së grantit, listës së detajuar me projektet dhe organizatat e mbështetura, kontratave etj. mbeten të nevojshme në këtë drejtim.

Gjithashtu, bazuar në gjetjet e raporteve të monitorimit të mjedisit mundësues të sektorit të shoqërisë civile, si dhe në raportet periodike të progresit publikuar nga BE, mbështetja me fonde publike e organizatave të shoqërisë civile mbetet e limituar. Fondi për grante për OJF-të, ka shumë vite që mbetet pothuaj i njëjtë (me një rënie gjatë periudhës së COVID 19), ndërkohë që nuk ka pse të mbetet në të njëjtat nivele. Ky fond duhet të rritet për të reflektuar nevojat e sektorit dhe ndryshimet e ndodhura që nga krijimi i AMSHC. Është e nevojshme të rritet mbështetja e AMSHC me grante për OJF-të, si për mbështetjen e projekteve të reja ashtu edhe për të mbuluar bashkëfinancimin e projekteve të donatorëve të huaj. Mbështetja institucionale e OJF-ve duhet gjithashtu të reflektohet tek shpërndarja e granteve, sepse edhe pse është e parashikuar, nuk është zbatuar asnjëherë.

VIII. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.1. Kuadri ligjor rreth shoqërisë civile, në kolonën e performancës, parashikohet “OSHC-të marrin mbështetje përmes fondeve shtetërore, e mundësuar nga procedura të shpejta dhe të përmirësuara brenda vitit 2030”.
Koment. Fondet shteterore nuk duhet të kuptohen dhe shihen vetëm përmes fondeve të AMSHC. Ka edhe institucione të tjera dhe mekanizma, të cilët duhen përfshirë këtu (si në nivel qendror dhe vendor). Udhërrëfyesi duhet të marrë në konsideratë edhe këto fonde dhe rregullimet e parashikuara duhet të përfshinë të gjitha fondet publike. Është e nevojshme që kjo të parashikohet si në masa edhe në kolonën e zbatimit dhe kapacitetit.

IX. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.2. Kornizat kombëtare ligjore, rregullatore dhe politike për organizatat e shoqërisë civile (OSHC).
Koment. Si pjesë e objektivit, parashikohen kushtet për regjistrim, zbatimin e lirisë së asociimit, mekanizmat për parandalimin e ndërhyrjeve dhe presionit të panevojshëm mbi aktivitetet dhe anëtarët e OSHC-ve, kushtet për taksimin dhe aksesin në financim/burime, etj.
Ndërkohë, ka edhe shumë çështje të tjera të cilat mbeten problematike në kornizën ligjore dhe rregullatore dhe duhen përfshirë këtu:
- Kuadri ligjor që rregullon dhurimet mbetet i pandryshuar. Ndryshimi i ligjit për sponsorizimin është përfshirë si masë që do të zbatohej deri në fund të vitit 2023 në Udhëzuesin për Hartimin e Politikës dhe Masave për Mjedisin Mundësues për Shoqërinë Civile 2019-2023, por pavarësisht kësaj, masa mbetet e parealizuar. Mungojnë lehtësirat tatimore lidhur me veprimtarinë filantropike të individëve. Gjithashtu, nuk ka një strategji ose politikë shtetërore të vendosur në lidhje me Përgjegjësinë Sociale Korporative (PSK).
- Kuadri ligjor dhe rregullator për sipërmarrjet sociale, edhe pas 8 vitesh që ka hyrë në fuqi nuk është i zbatueshëm. Mbetet i nevojshëm përmirësimi i tij dhe qartësimi, për një zbatim sa më efektiv të ligjit dhe akteve ligjore dhe rregullatore.
- Lidhur me masat për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, mbetet urgjente nxjerrja e sektorit të OJF-ve nga kategoria e klientëve me risk të lartë sikurse parashikohet në kuadrin ligjor ekzistues, bazuar edhe në rezultatet e vlerësimeve kombëtare të riskut, të cilat e vlerësojnë sektorin e OJF-ve si me risk të ulët.

X. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.2. Kornizat kombëtare ligjore, rregullatore dhe politike për organizatat e shoqërisë civile (OSHC), në kolonën e zbatimit dhe kapacitetit parashikohet: “Regjistri elektronik i OSHC-ve pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor është funksional brenda vitit 2023”.
Koment. Viti 2023 u mbyll dhe regjistri elektronik nuk është funksional. Vendimi 35, datë 26.01.2022 I KLGJ ende nuk ka gjetur zbatim praktik dhe as nuk ka ndonje njoftim lidhur me të në përfundim të afatit të parashikuar.

XI. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.2. Kornizat kombëtare ligjore, rregullatore dhe politike për organizatat e shoqërisë civile (OSHC), në kolonën e zbatimit dhe kapacitetit parashikohet: “Ka kapacitete e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të siguruar funksionimin e sistemit dixhital për regjistrimin e OSHC-ve brenda vitit 2023”.

Koment. Sërish vlen i njëjti koment. Viti 2023 u mbyll dhe regjistri elektronik nuk është funksional. Nuk ka ndonjë informacion publik në lidhje me rritjen e kapaciteteve të KLGJ për të siguruar funksionimin e sistemit dixhital për regjistrimin e OSHC-ve.

XII. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.2. Kornizat kombëtare ligjore, rregullatore dhe politike për organizatat e shoqërisë civile (OSHC), në kolonën e zbatimit dhe kapacitetit parashikohet: “U rritën kapacitetet e organeve tatimore për të përballuar nevojën për të mundësuar procedura të shpejta të rimbursimit të TVSH-së”.

Koment. Këtu nuk reflektohet kuadri ligjor në fuqi dhe ndryshimet e fundit që kanë ndodhur që prej shtatorit 2023, përderisa i referohet procedurave të shpejta të rimbursimit. Sipas këtyre ndryshimeve, nuk flitet më për rimbursim, po për përjashtim nga TVSH-ja. Për më tej, kuadri ligjor në fuqi, nuk ka afate kohore se kur hyn në fuqi procedura e re për përjashtim nga TVSH. Kjo duhet të reflektohet me ndryshimin se kur duhet të hyjë në fuqi. Më pas, kapacitetet e organeve tatimore duhen rritur në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues.

XIII. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.3. Konteksti më i gjerë për një mjedis mundësues, Masa. “Korniza ligjore e rishikuar për vullnetarizmin miratuar brenda vitit 2027”.

Koment. Sipas Vendim nr. 790, datë 28.12.2023 “Për miratimin e programit të përgjithshëm analitik të projektakteve që do të paraqiten për shqyrtim në këshillin e ministrave gjatë vitit 2024”, rishikimi i Ligjit 45/2016 “Për vullnetarizmin” është parashikuar gjatë Katërmujorit të III-të të vitit 2024. Ndërkohë, prej vitit 2022, është krijuar një grup pune me përfaqësues nga OJF-të, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Ministrinë e Financave, Agjencinë Kombëtare për të Punësimit dhe Aftësive dhe ekspertë ligjorë, për diskutimin e ndryshimeve dhe përmirësimeve ligjore dhe rregullatore. Nisur nga këto parashikime dhe zhvillime, afati deri në vitin 2027 është shumë i largët dhe i panevojshëm. Ligji që prej miratimit të tij në 2016-ën, nuk është bërë asnjëherë funksional dhe nuk e ka përmbushur objektin e tij. Nuk është e nevojshme që kjo situatë të zgjatet edhe për disa vite të tjera, cka do të ndikonte negativisht në zhvillimin e një mjedisi mundësues për nxitjen e vullnetarizmit në vend.

XIV. Në lidhje me Fushën 3, Objekti 3.3. Konteksti më i gjerë për një mjedis mundësues, Masa. “Ndryshim në ligjin nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, dhe në legjislacionin dytësor për konsultimin publik bëhet në mënyrë progresive drejt vitit 2030”.
Koment. Ndryshimet në ligjin nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, dhe në legjislacionin dytësor për konsultimin publik kanë shumë vite që janë ngritur si cështje nga organizatat e shoqërisë civile dhe jo vetëm. Progres Raporti i BE-së në mënyrë periodike thekson nevojën për përmirësimin në këtë drejtim. Në këto kushte, kur kjo çështje është diskutuar shumë dhe prej një kohe të gjatë, afati duhet afruar. Nuk mund të vendoset deri në 2030 sepse është një peruidhë shumë e gjatë, ndërkohë që konsultimi publik duhet të përmirësohet sa më shpejt, dhe kuadri ligjor e rregullator të jetë sa më mundësues dhe efektiv.
Bazuar në Vendim nr. 790, datë 28.12.2023 “Për miratimin e programit të përgjithshëm analitik të projektakteve që do të paraqiten për shqyrtim në këshillin e ministrave gjatë vitit 2024”, Ligji për Konsultimin Publik nuk është parashikuar të përfshihet në axhendën e punimeve gjatë 2024. Mbetet e nevojshme, afrimi i afatit për këtë Ligj kaq të rëndësishëm që garanton përfshirjen e të gjithë aktorëve dhe grupeve të interesit në politikëbërje dhe që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me procesin e integrimit të vendit në BE.

Postuar më: 23.01.2024 02:23

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.