P R O J E K T L I GJ “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.155, DATË 7.12.2020 “PËR NDRYSHIMET KLIMATIKE”
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
|
Postuar më: 28.07.2022
|
Data e Mbylljes: 20.12.2022
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
|
Nr.Komenteve: 1
|
Nr.Shikimeve: 402
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Kuvendi
P R O J E K T L I GJ
Nr._____/2022
“PËR
NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.155, DATË 7.12.2020 “PËR NDRYSHIMET KLIMATIKE”,
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.155, datë 7.12.2020 “Për ndryshimet klimatike”, bëhet ndryshimi si më poshtë vijon:
Neni 1
Në nenin 34 bëhen ndryshimet e mëposhtme.
- Pika 1 dhe 2 ndryshojnë si më poshtë:
“ 1. Shkeljet e mëposhtme të këtij ligji, që nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë:
a) zhvillimi i një aktiviteti pa leje mjedisi, që përfshin shkarkimet e GES-it sipas kërkesave të nenit 10 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 2 për qind të masës së gjobës çdo ditë deri në korrigjimin e mospërputhjes;
b) mospërmbushja e detyrimit nga cilido operator për monitorimin e shkarkimeve të GES-it dhe raportimin e tyre në AKM, sipas kërkesave të neneve 8, pika 1, dhe 13, pikat 6 e 7, të këtij ligji ose akteve të tij nënligjore, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 2 për qind të masës të gjobës çdo ditë deri në korrigjimin e mospërputhjes;
c) mosnjoftimi në AKM i ndryshimeve të parashikuara në pikën 1 të nenit 12 të këtij ligji, për të cilin mund të nevojitet një përditësim i lejes së mjedisit, që përfshin shkarkimet e GES-it lidhur me shkarkimin e këtyre, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë, duke u shtuar me vlerën 2 për qind të masës të gjobës çdo ditë deri në korrigjimin e mospërputhjes.
2. Gjoba e vendosur për kundravajtjet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni përbën titull ekzekutiv dhe të drejtën e gjobës e ka struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit”.
2. Në pikën 5 fjalët “inspektoratit përgjegjës për mjedisin” zëvendësohen me “strukturës përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit”
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim