Për rastet e dhënies në përdorim dhe për ndryshimin e kategorisë së përdorimit, procedurat dhe dokumentacioni përkatës për ndryshimet e sipërfaqeve dhe pakësimin në volum nga Fondi Pyjor Kombëtar apo zgjerimin e tyre

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

|

Postuar më: 25.10.2022

|

Data e Mbylljes: 12.01.2023

|

Statusi: Konsultim i mbyllur

|

Nr.Komenteve: 0

|

Nr.Shikimeve: 226

PDF

|

XML

Description: Leter me koke Keshilli i ministrave-1-01

 

 

 

 

 

V E N D I M

(projekt)

 

(Nr._________ datë__________ 2022)

 

PËR

RASTET E DHËNIES NË PËRDORIM DHE PËR NDRYSHIMIN E KATEGORISË SË PËRDORIMIT, PROCEDURAT DHE DOKUMENTACIONI PËRKATËS PËR NDRYSHIMET E SIPËRFAQEVE DHE PAKËSIMIN NË VOLUM NGA FONDI PYJOR KOMBËTAR APO ZGJERIMIN E TYRE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4 të nenit 5, të ligjit nr. 57/2020, datë 30.04.2020, “Për pyjet”, me propozimin e Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave;  

 

 

V E N D O S I :

 

 

  1. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

  1. Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i :
  1. procedurave për rastet e dhënies në përdorim dhe për ndryshimin e kategorisë së përdorimit të fondit pyjor kombëtar;
  2. dokumentacionit përkatës për ndryshimet e sipërfaqeve pyjore dhe pakësimin në volum nga fondi pyjor kombëtar apo zgjerimin e tyre..

                                 

  1. Për qëllim të këtij vendimi termat e mëposhtëm kanë kuptimin:

a. “Dhënie në përdorim”, është proçesi i kalimit të së drejtës së përdorimit të fondit pyjor te palët e treta, mbështetur në aktet ligjore në fuqi.

b. “Ndryshimi i kategorisë së përdorimit dhe/ose heqja nga fondi pyjor”, është procesi i tjetërsimit të kategorisë së përdorimit të sipërfaqes pyjore, pas miratimit nga organi përgjegjës për ushtrimin e veprimtarisë.

  1. “Pakësimi në volum”, nënkupton heqjen e volumit drusor mbi atë sipërfaqe pyjore, ku do të ushtrohet veprimtaria e miratuar.
  2. “Infrastrukturë pyjore” ka kuptimin sipas përkufizimit të përcaktuar në ligjin nr. 57/2020 “Për pyjet”

 

 

 

 

  1. PROCEDURA PËR NDRYSHIMIN E SIPËRFAQEVE DHE PAKËSIMIN NË VOLUM NGA FONDI PYJOR KOMBËTAR APO ZGJERIMIN E TYRE, PËR RASTIN E NDRYSHIMIT TË KATEGORISË SË PËRDORIMIT

 

  1. Personi fizik ose personi juridik, që kërkon të kryejë procedurën  për ndryshimin e kategorisë së përdorimit dhe pakësimin në volum të një sipërfaqeje nga fondi pyjor kombëtar, bën kërkesën  nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania.
  2. Struktura përgjegjëse për pyjet në ministri, brenda 20 ditëve pune nga data e paraqitjes së kërkesës, shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin e depozituar nga kërkuesi, si dhe verifikon nëse dokumentacioni është depozituar i plotë sipas pikës 2, të kreut III të këtij vendimi.
  3. Në rast se gjatë shqyrtimit të dokumentacionit, struktura përgjegjëse për pyjet pranë ministrisë, konstaton se dokumentacioni i depozituar sipas pikës pikës 2, të kreut III , nuk është i plotë apo nuk është sipas formatit të kërkuar, njofton përmes portalit e-Albania kërkuesin për plotësimin e dokumentacionit dhe të metave të konstatuara, brenda 30 ditëve pune nga dita e njoftimit.
  4. Mosplotësimi i dokumentacionit të kërkuar brenda afatit të përcaktuar në pikën 3 të këtij kreu, përbën shkak për mospranimin e kërkesës. Kërkuesi njoftohet përmes portalit e-Albania për arsyet e refuzimit, si dhe për të drejtën e ankimimit në përputhje me legjislacionin në fuqi për ankimimet administrative. Procedurat  për të njëjtën kërkesë fillojnë nga e para.
  5. Struktura përgjegjëse për pyjet në ministri, nëse vlerëson se dokumentacioni është i plotë sipas pikës 2, të kreut III të këtij vendimi dhe është në përputhje me rastet e përcaktuara në pikën 14 të këtij kreu, vepron si vijon:
  1. Përcjell kërkesën për hartimin e raportit teknik dhe dhënien e dakortësisë: 
    1. Njësisë së Vetqeverisjes Vendore, kur sipërfaqja pyjore, objekt i ndryshimit të kategorisë së përdorimit, është në pronësi të saj ose në pronësi private;
    2. Institucionit përgjegjës  të zonave të mbrojtura, në rastin kur sipërfaqja pyjore, objekt i ndryshimit të kategorisë së përdorimit, është pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura dhe për veprimtari që lejohen në këto zona në varësi të kategorisë së tyre. 
  1. Njësia e Vetqeverisjes Vendore, ose institucioni përgjegjës i zonave të mbrojtura, brenda 30 ditëve nga data e administrimit të kërkesës, përcjell pranë ministrisë përgjegjëse për pyjet:
    1. raportin teknik së bashku me vendimin e Këshillit Bashkiak, i cili jep pëlqimin ose jo për vazhdimin e procedurës së ndryshimit të kategorisë së përdorimit të sipërfaqes pyjore në pronësi të saj ose private;
    2. raportin teknik dhe dakortësinë ose jo, me shkresë zyrtare të institucionit përgjegjës të zonave të mbrojtura, për vijim e procedurave të ndryshimit të kategorisë së përdorimit në administrim të saj.
  2. Agjencia shtetërore përgjegjëse për pyjet, bën vlerësimin e saktësisë së raportit tekniko-ekonomik sipas informacionit të regjistrit kombëtar të fondit pyjor dhe sistemit ALFIS dhe e përcjell këtë vlerësim në ministri, brenda 10 ditëve pune.
  3. Nëse vendimi i Këshillit Bashkiak apo vendimarrja e institucionit përgjegjës të zonave të mbrojtura, shprehet kundër procedurës së ndryshimit të kategorisë së përdorimit së sipërfaqes pyjore, atëherë struktura përgjegjëse për pyjet në ministri, brenda 10 ditëve pune nga marrja dijeni e këtij vendimi, njofton kërkuesin dhe ndërpret menjëherë procedurën. Kërkuesi njoftohet përmes portalit e-Albania për arsyet e refuzimit, si dhe për të drejtën e ankimimit në përputhje me legjislacionin në fuqi për ankimimet administrative.
  4. Struktura përgjegjëse për pyjet në ministri, pasi administron dakordësinë respektive sipas shkronjës “i” ose “ii”, të pikës 6 dhe vlerësimin sipas pikës 7 të këtij kreu, brenda 10 ditëve pune, përgatit Urdhërin e Ministrit, për ndryshimin e kategorisë së përdorimit (heqje/shtesa) të sipërfaqes nga/në fondin pyjor, në rastin kur sipërfaqja është më e vogël se 1 ha, sipas përcaktimit në shkronjën “a”, të pikës 4, të nenit 5 të ligjit 57/2020, “Për pyjet”, i cili i dorëzohet  kërkuesit nëpërmjet sportelit të shërbimit jo më vonë se 15 ditë pune nga data e nënshkrimit të tij.
  5. Në rastin kur kërkesa për ndryshimin (heqje/shtesa) të sipërfaqeve nga/në fondin pyjor kombëtar është për sipërfaqe mbi 1 ha, sipas përcaktimit të bërë në shkronjën “b”, të pikës 4, të nenit 5, të ligjit 57/2020 “Për pyjet”, si dhe për sipërfaqe mbi 10 ha të përcaktuar në shkronjën “c”, të pikës 4, të nenit 5 të po këtij ligji, ndiqet e njëjta procedurë përcaktuar në kreun III të këtij vendimi, dhe Ministria përgatit aktin e miratimit, vendim të Këshillit të Ministrave ose ligj të veçantë.
  6. Pas miratimit të ndryshimit të kategorisë së përdorimit së sipërfaqes nga fondi pyjor kombëtar ndiqet procedura e mëposhtme:
  1. Struktura përgjegjëse për pyjet në bashkinë përkatëse, ose institucioni përgjegjës për zonat e mbrojtura, kryen përditësimin në rregjistrin kombëtar të pyjeve dhe përcjell të dhënat pranë agjencisë shtetërore përgjegjëse për pyjet.
  2. Agjencia Shtetërore e Kadastrës bën ç’rregjistrimin nga kategoria tokë e zënë pyll dhe e regjistron në kategorinë e re të përdorimit.
  1. Sipërfaqja që hiqet nga fondi pyjor publik sipas këtij vendimi, kalon në një kategori tjetër përdorimi, por në çdo rast mbetet në pronësi publike.
  2. Brenda 10 ditëve pune nga data e miratimit të aktit ligjor për ndryshimin e kategorisë së përdorimit, sipas përcaktimeve përkatëse të shkronjave “a”, “b” dhe “c”, të pikës 4, të nenit 5, të ligjit 57/2020 “Për pyjet”, subjekti kërkues kryen pagesën mbi vlerën e sipërfaqes pyjore të hequr apo të infrastrukturës pyjore të tjetërsuar në:
    1. në llogarinë bankare të bashkisë kur sipërfaqja pyjore është brenda juridiksionit territorial administrativ të Njësisë së Vetqeverisjes Vendore,
    2. në llogarinë bankare të administratës së zonave të mbrojtura, kur sipërfaqja pyjore është pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura.
    3. në llogarinë bankare të pronarit privat, në rastin kur sipërfaqja pyjore është në pronësi private.

14. Procedura e ndryshimit të kategorisë së përdorimit të sipërfaqes pyjore, kryhet kur mbi këtë sipërfaqe miratohen veprimtari që kërkohen nga subjekte juridike ose fizikë apo nga organet e vetëqeverisjes vendore, të cilat tjetërsojnë kategorinë e përdorimit të sipërfaqes pyjore, për rastet e mëposhtme:

  1. Kthimi në truall, për zgjerimin e vijës kufizuese të ndërtimit dhe të shtrirjes territoriale të periferisë së qytetit apo të qendrave të banuara në zonat rurale;
  2. ndërtimin e strukturave akomoduese në funksion të sipërmarrjes turistike dhe të veprimtarisë së agroturizmit;
  3. ndërtimin e rrugëve automobilistike apo hekurudhore;
  4. shpim dhe shfrytëzim të puseve të naftës e të gazit;
  5. veprimtari minerare e gjeologjike;
  6. aeroporte dhe struktura të telekomunikacionit;
  7. qëllime të strukturave ushtarake;
  8. qendra industriale dhe aktivitete me natyrë industriale dhe ose energjitike;
  9. për qëllime të tjera publike, për rastet e përcaktuara në nenin 25 të ligjit nr. 57/2020.

 

  1. Ndryshimi i kategorisë së përdorimit të sipërfaqes pyjore në zonat e mbrojtura kryhet kur mbi këtë sipërfaqe miratohen vetëm veprimtari me interes kombëtar/publik, si shtrimi i rrjeteve/linjave, tubacioneve dhe ndërtime infrastrukturore të tjera të përkohëshme ose të përherëshme, pas vendimit të KKT-së për ndryshimin e sipërfaqes së zonës së mbrojtur mjedisore, duke zbatuar parashikimet e nenit 36 të ligjit nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”.

 

  1. Përjashtohen nga kjo procedurë, projektet e ndërtimit të infrastrukturave lineare si rrugë, linja të transmetimit ajror, apo nëntokësore të energjisë elektrike, tubacionet apo kanalet e devijacionit, për HEC, panele diellore, impiante eolike, fotovoltaike, të naftës, të gazit, të telekomunikacionit si dhe teleferikët, të cilat në përputhje me projektet e miratuara kërkojnë një trase të pastruar nga vegjetacioni me gjerësi më të vogël se 10 m, për efekt kadastral, bëhet vetëm zvogëlim në volum, por jo në sipërfaqe, sipas legjislacionit në fuqi.

 

  1. DOKUMENTACIONI I NEVOJSHËM NDRYSHIMIN E SIPËRFAQEVE DHE PAKËSIMIN NË VOLUM NGA FONDI PYJOR KOMBËTAR APO ZGJERIMIN E TYRE, PËR RASTIN E NDRYSHIMIT TË KATEGORISË SË PËRDORIMIT

 

  1. Dokumentacioni i përcaktuar më poshtë në pikën 2, të këtij kreu, hartohet dhe përshtatet në funksion të portalit e-Albania, nga struktura përgjegjëse për pyjet në Ministri në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
  2. Kërkesa  shoqërohet me  dokumentacionin si më poshtë:
  1. Lejen e veprimtarisë të lëshuar nga institucioni qendror shtetëror që mbulon veprimtarinë  sipas pikës 1, të kreut III, të këtij vendimi;
  2. Aktin e miratimit mjedisor, VNM/leje mjedisore;
  3. Planimetrinë e sipërfaqes së kërkuar në hartë topografike të dixhitalizuar dhe të gjeoreferuar me shkallë 1: 10000, ku të jenë evidentuar elementet kryesorë si kufijtë natyrorë, relievi, objektet eventualë, ngastrat pyjore që preken nga aktiviteti së bashku me të dhënat kadastrale, si dhe çdo planimetri tjetër në shkallë më të detajuar, hartuar konform kërkesave të studimit apo projektit;
  4. Raportin teknik dhe ekonomik, të hartuar nga struktura përgjegjëse për pyjet në bashki, për pyjet në administrim të njësive të vetqeverisjes vendore dhe pyjet private, apo nga organi përgjegjës i zonave të mbrojtura, për pyjet në administrim të këtij organi;
  5. Miratimin me shkrim për vazhdimin e procedurave të ndryshimit të kategorisë së përdorimit të  fondit pyjor kombëtar nga ana e këshillit bashkiak, brenda territorit administrativ të të cilit është sipërfaqja pyjore publike, si dhe për sipërfaqen pyjore në pronësi private, e cila do t'i nënshtrohet procedurave të ndryshimit të kategorisë së përdorimit (pakësim/shtesë), si dhe verifikimin e ligjshmërisë nga prefekti, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  6. Miratimin më shkrim për vazhdimin e procedurave të ndryshimit të kategorisë së përdorimit të fondit pyjor kombëtar nga ana e organit përgjegjës për zonat e mbrojtura, kur kjo sipërfaqe pyjore është në pronësi të këtij organi.
  7. Tarifën e shërbimit në vlerën prej 20.000 (njëzet mijë) lekë. Tarifa e shërbimit paguhet në llogarinë bankare të ministrisë në kohën e paraqitjes së kërkesës dhe është e pakthyeshme edhe nëse kërkesa nuk miratohet.

 

 

IV. DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE

  1. Deri në funksionimin e shërbimit nëpërmjet portalit e-Albania, të përcaktuar në pikën 1 të kreut III të këtij vendimi, kërkesat  dorëzohen pranë Ministrisë përgjegjëse për pyjet.

 

  1. Për kërkesat e dorëzuara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, zbatohet procedura e parashikuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.1353, datë 10.10.2008, “Për rregullat për paraqitjen e kërkesës, mbajtjen dhe plotësimin e dokumentacionit teknik, kriteret dhe proçedurat e zvogëlimit të sipërfaqes dhe të vëllimit të fondit pyjor”, i ndryshuar.

 

  1. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.1353, datë 10.10.2008, “Për rregullat për paraqitjen e kërkesës, mbajtjen dhe plotësimin e dokumentacionit teknik, kriteret dhe proçedurat e zvogëlimit të sipërfaqes dhe të vëllimit të fondit pyjor”, i ndryshuar, shfuqizohet.

 

  1. Ngarkohen për zbatimin e këtij vendimi Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Pyjeve, Agjencia Shtetërore e Kadastrës si dhe Njësitë e Vetqeverisjes Vendore

 

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit ne Fletoren Zyrtare.

 

KRYEMINISTRI

                                                                          Edi    RAMA

 

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.