P R O J E K T L I GJ “PËR NJË SHTESË DHE DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 81/2017 “PËR ZONAT E MBROJTURA”
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
|
Postuar më: 28.07.2022
|
Data e Mbylljes: 28.12.2022
|
Statusi: Konsultim i mbyllur
|
Nr.Komenteve: 0
|
Nr.Shikimeve: 458
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Kuvendi
P R O J E K T L I GJ
Nr._____/2022
“PËR
NJË SHTESË DHE DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 81/2017 “PËR ZONAT E MBROJTURA”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr. 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, bëhen shtesa dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
Neni 1
Në pikën 1 të nenit 66, pas shkronjës “b” shtohet shkronja “c” me këtë përmbajtje:
“c) Struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit, brenda detyrave dhe përgjegjësive të caktuara në dispozitat ligjore në fuqi, kryen funksionet inspektuese në zonat e mbrojtura, pavarësisht nga forma e pronësisë së administrimit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe aktet nënligjore në zbatim të tij;
Neni 2
Në nenin 67 bëhen ndryshimet si më poshtë:
1. Pika 1 ndryshon si më poshtë:
“1. Kur shkeljet nuk përbëjnë vepër penale, por përbëjnë kundërvajtje administrative, të cilat grupohen si më poshtë:
a) për ndotjen dhe dëmtimin e zonës së mbrojtur nga shkarkimet mbi normë të veprimtarive që zhvillohen jashtë zonës, por në afërsi të saj, subjekti dënohet me gjobë nga 130 000 (njëqind e tridhjetë mijë) deri në 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) lekë;
b) për zhvillimin në zonë të veprimtarive që nuk janë pajisur me leje mjedisi, subjekti dënohet me gjobë nga 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë;
c) për mospërmbushje dhe mosrespektim të kërkesave, parimeve dhe kushteve të lejes përkatëse të mjedisit, sipas parashikimeve të këtij ligji, subjekti dënohet me gjobë nga 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) deri në 1 300 000 (një milion e treqind mijë) lekë;
ç) për dëmtim të zonave të mbrojtura nga pronarët e pasurive private që ndodhen brenda zonës, subjekti dënohet me gjobë nga 65 000 (gjashtëdhjetë e pesë mijë) deri në 104 000 (njëqind e katër mijë) lekë;
d) për dëmtim të zonave të mbrojtura nga përdoruesit e zonës, me gjobë nga 65 000 (gjashtëdhjetë e pesë mijë) deri në 104 000 (njëqind e katër mijë) lekë.
2. Në pikën 2, fjalët “ Inspektorati i Policisë Pyjore´zëvendësohen me “Struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit”
3. Pika 4 ndryshon si mëposhtë:
“4. Gjoba e vendosur për kundravajtjet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni përbën titull ekzekutiv dhe paguhet brenda periudhës së përcaktuar në nenin 30 të ligjit nr.10 279, datë 20.5.2010 “Për kundërvajtjet administrative”.
Neni 3
Në pikën 1 të nenit 69, pas fjalëve “dhe/oseadministrata e zonës së mbrojtur” shtohen fjalët “dhe/ose struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit”,
Neni 4
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim