Projektligj "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë"
|
Postuar më: 27.08.2025
|
Statusi: Konsultim i hapur
|
Nr.Komenteve: 3
|
Nr.Shikimeve: 2740
Kodi Penal, si një prej ligjeve themelore të çdo vendi, ka rëndësi tepër të veçantë, pasi është në mënyrë të drejtpërdrejtë refleksion i shkallës së demokracisë së një vendi dhe tregues i nivelit të shoqërisë së tij . Duke qenë ligji bazë dhe themelor në fushën penale, në një vend demokratik me koncepte liberale si dhe bazuar në konceptet e shtetit të së drejtës, Kodi Penal duhet të përmbushë dy detyra kryesore. Nga njëra anë mbrojtjen e shoqërisë nga sjelljet kriminale që cenojnë paqen, harmoninë dhe prosperitetin e shoqërisë dhe anëtarëve të saj dhe nga ana tjetër garantimin e çdo individi nga abuzimi eventual gjatë zbatimit në praktikë. Parë nën spektrin e këtyre dy shtyllave kryesore, analizohen në mënyrë me të detajuar nevoja për ndryshime dhe përmirësime drejt arritjes së një baraspeshimi sa më ideal të këtyre dy funksioneve.
Kodi Penal pa diskutim është shpesh herë produkt dhe pasqyrim i mentalitetit të shoqërisë ku ai krijohet dhe ndikohet domosdoshmërisht nga zhvillimet historik-shoqërore të vendit. Kështu, Kodi Penal aktual është miratuar në vitin 1995 dhe që prej asaj periudhe ka pësuar deri më tani 32 ndërhyrje, nga të cilat 23 ndërhyrje legjislative dhe 9 ndërhyrje me vendime të Gjykatës Kushtetuese.
Kontributet në kuadër të procesit të konsultimit dhe përmirësimit të përmbajtjes së këtij projektligji, do të përcillen nga subjektet e interesuara nëpërmjet postës elektronike drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, me anë të regjistrit elektronik në adresën http://www.konsultimipublik.gov.al, në adresën postare të Ministrisë së Drejtësisë “Bulevardi “Zogu I-rë”, Tiranë”, si dhe në adresën e emailit të koordinatorit për konsultimin publik: Greis.Como@drejtesia.gov.al.
Irvi H.
I gjithë drafti i propozuar i Kodit Penal paraqet një qasje të diskutueshme, pasi nuk është në përputhje me frymën dhe parimet themelore të Kushtetutës sonë. Në mënyrë të veçantë, vërehet se dispozitat që lidhen me ekonominë, taksat, tatimet dhe detyrimet fiskale janë trajtuar si çështje me karakter penal (pavarësisht vlerës). Këto fusha, në përputhje me parimet e së drejtës dhe praktikat ndërkombëtare, duhet të mbeten objekt i legjislacionit administrativ dhe procedurave të rregullta tatimore, jo i ndëshkimit penal.
Penalizimi i marrëdhënieve fiskale rrezikon të cënojë sigurinë juridike, të mbingarkojë sistemin gjyqësor penal dhe të vendosë qytetarët e bizneset në një klimë pasigurie, në vend që të garantojë korrektësi dhe efikasitet administrativ. Për këtë arsye, është e nevojshme një rishikim i thelluar i draftit në mënyrë që të harmonizohet me Kushtetutën dhe parimet e shtetit të së drejtës.
Postuar më: 07.09.2025 04:39
Lorenc A.
Po bëja disa shqyrtime dhe në nenin 33 pika 1 thuhet: Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose mosveprim të parashikuar nga ligji si vepër penale, në qoftë se nuk është kryer me faj.
Termi faj duhet të përkufizohet sepse nga njëra anë është shkelje e rregullave morale dhe nga ana tjetër është emocion. Si psh; ndjeva faj. Nuk është kryer me faj do të thotë që një veprim apo mosveprim është kryer pa ndjenjë të caktuar. Ndjenjat duhet të ndahen nga ligji. Emocionet duhen lënë jashtë. Çdokush mund të ndjej pendesë përpara ose pas krimit dhe kjo është e vështirë të kuptohet pasi emocionet përshkruhen ndryshe nga njerëz të ndryshëm. Ndjenja e fajit vjen nga një shkelje e standarteve morale të personit. Por jo të gjithë kanë të njëjtin standart moral. P.sh; nëse një mësues mund të vjedh por mund të mos ndjej faj ose pendesë kur ndiqet penalisht ndjen pendesë. Një prind pa para që do ti blej fëmijës një lodër nuk do të shkel ligjin dhe vjedh për hir të fëmijës por ndjen pendesë përpara sjellje kriminale. Është pak e vështirë për mua ta kuptoj çdo të thotë nëqoftëse nuk është kryer me faj.
Në nenin 34 pika 1 thuhet;
Vepra penale kryhet me dashje, kur personi e parashikon pasojën e veprës, synon me vullnet ardhjen e saj ose, megjithëse e parashikon, nuk e synon atë, por e lejon ardhjen e saj.
Kjo pikë është në kontradiksion me nenin 33. Pse ?
Së pari duhet definuar faj që të jet në ekulibrium me dashjen. Pra; një sjellje si vrasja mund të jet me dashje por mund të mos kryehet me faj por me inatosje.
Postuar më: 23.09.2025 08:13
SHOQATA NAREA
AMENDAMENT
Për shtesë në Projektligjin “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”
1. Vlerësim I Përgjthshëm
Sektori i pasurive të paluajtshme përbën një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik, investimeve dhe stabilitetit social.
Në projekt-rregullimin aktual, konstatohet një tendencë drejt forcimit të përgjegjësisë penale në fushën e tokës, ndërtimit dhe pronësisë, gjë që në parim përputhet me objektivat e luftës kundër informalitetit.
Propozimi i paraqitur nga NAREA për përfshirjen e nenet 65x në Kreun III të Kodit Penal synon të adresojë një problematikë të vazhdueshme dhe strukturore të tregut të pasurive të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë, konkretisht:
• ushtrimin e veprimtarisë së ndërmjetësimit imobiliar nga subjekte të palicencuara;
• dëmtimin e konsumatorëve dhe palëve kontraktore;
• shtrembërimin e konkurrencës në dëm të profesionistëve të licencuar;
• rritjen e informalitetit dhe rrezikut për pastrim parash në sektor.
Ndërhyrja ligjore synon vendosjen e standardit të detyrueshëm profesional, rritjen e sigurisë juridike dhe mbrojtjen e interesit publik.
2. Përputhshmëria me praktikat e Bashkimit Europian
Në shumicën e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ndërmjetësimi në pasuri të paluajtshme është një profesion i rregulluar, i cili ushtrohet vetëm pas përmbushjes së kushteve të licencimit, regjistrimit dhe kualifikimit profesional.
Shembuj konkretë:
• në Francë, ushtrimi i ndërmjetësimit pa licencë ndalohet rreptësisht nga ligji;
• në Itali, ndërmjetësimi pa regjistrim në organet kompetente përbën shkelje serioze;
• në disa shtete anëtare, shkeljet shoqërohen me gjoba të rënda dhe burg duke filluar nga 6 muajsi dhe ndalim ushtrimi veprimtarie dhe konfiskim përfitimesh.
Në këtë kuadër, propozimi i NAREA është në përputhje me filozofinë rregulluese të Bashkimit Europian, sipas së cilës ndërmjetësimi imobiliar nuk konsiderohet veprimtari e lirë, por profesion me përgjegjësi të shtuar ndaj publikut.
3. Nevoja për instrument penal në kontekstin shqiptar
Realiteti shqiptar paraqet veçori që e bëjnë të domosdoshme një qasje më të fortë ligjore, konkretisht:
• përdorim i platformave online për ushtrim veprimtarie të paligjshme pa asnjë kontroll.
• nivel të lartë informaliteti në pjesen e parregulluar të tregut imobiliar;
• mungesë efektiviteti të masave administrative ekzistuese.
• raste mashtrimi, dëmtimi ekonomik të qytetarëve dhe evazioni;
Në këtë kontekst, parashikimi i përgjegjësisë penale për ushtrimin e qëllimshëm dhe profesional të ndërmjetësimit pa licencë vlerësohet si instrument i nevojshëm parandalues dhe në funksion të formalizimit të tregut.
4. Parimi i proporcionalitetit
Dispozita synon ndëshkimin e ushtrimit të qëllimshëm, të organizuar dhe fitimprurës të veprimtarisë së ndërmjetësimit jashtë kuadrit ligjor dhe nuk ka për qëllim kriminalizimin e shkeljeve formale ose gabimeve administrative.
Zbatimi i saj duhet të bëhet në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe individualizimit të përgjegjësisë penale.
5. Përfundim
Miratimi i këtij amendamenti kontribuon në:
• rritjen e sigurisë juridike në tregun e pasurive të paluajtshme;
• mbrojtjen e konsumatorit;
• forcimin e konkurrencës së ndershme;
• formalizimin e sektorit imobiliar;
• përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Si vijon, sugjerimi i NAREA:
KREU III
VEPRAT PENALE TË KRYERA NË SHOQËRITË TREGTARE DHE KUNDËR
PUNONJËSVE
SEKSIONI I
VEPRAT PENALE NË SHOQËRITË TREGTARE DHE KONKURRENCA E PALIGJSHME
Neni 65X
Ushtrimi i veprimtarisë Ndërmjetësim në Pasuri të Paluajtshme pa licencë
1. Ushtrimi i një ose disa veprimtarive të ndryshme Ndërmjetësimi në Pasuri të Paluajtshme, i çdo veprimtarie për të ndërmjetësuar përfundimin e një marrëveshjeje për realizimin e veprimit juridik të kalimit të pronësisë së pasurive të paluajtshme ose të të drejtave reale mbi to, duke përfshirë edhe publicitetin kur kryhet me qëllim promovimin e pasurisë së paluajtshme për palët e treta me synim ndërmjetësimin, nga subjekte të palicencuara sipas legjislacionit në fuqi, pavarësisht formës ose mjetit që përdoret për ndërmjetësimin, me prezencë fizike apo online, dënohet nga gjashtë muaj deri në katër vjet burg dhe, dënimin plotësues të konfiskimit të çdo lloj pasurie që rrjedh ose fitohet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga kryerja e veprës penale.
2. Kur vepra penale kryhet nga persona juridikë dënohet me gjobë mbi pesëfishin e vlerës së përfitimit material apo te premtuar, konfiskimin e çdo lloj pasurie që rrjedh ose fitohet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga kryerja e veprës penale si dhe, mbylljen e veprimtarisë.
Postuar më: 27.01.2026 11:13
Komentet nga qytetarët