Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995, ‘Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar”

Ministria e Drejtësisë

|

Postuar më: 30.09.2026

|

Data e Mbylljes: 28.10.2026

|

Statusi: Konsultim i hapur

|

Nr.Komenteve: 4

|

Nr.Shikimeve: 1422

PDF

|

XML

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995, ‘Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar” synon forcimin e garancive të procesit të rregullt ligjor në procedimin penal, veçanërisht të drejtave të personit nën hetim, të të pandehurit dhe të dëshmitarit. Nisma vjen si përgjigje ndaj problematikave të konstatuara në praktikë lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut, barazinë e armëve dhe transparencën e procesit penal, si dhe ndaj standardeve të vendosura nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe vendimet e GJEDNJ-së kundër Shqipërisë.

Ky projektligj mbështetet në analiza krahasimore me legjislacionin italian dhe francez, direktivat e BE-së, jurisprudencën e GJEDNJ-së dhe të GJED-së, si dhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ato unifikuese të Gjykatës së Lartë.

Nisma përbëhet nga 106 nene, prek rreth 90 dispozita të Kodit dhe shton dy krerë të rinj, për provat digjitale dhe mbi hetimet e mbrojtjes si dhe një seksion të ri mbi mjetet e kërkimit të provës me ndikim në lirinë personale. Ndërhyrjet shtrihen në të gjitha fazat e procedimit dhe ndërtohen mbi tetë shtylla kryesore: rishikimin e regjimit të masave të sigurimit personal; barazinë e armëve dhe hetimin e mbrojtjes; garancitë kundër vetëinkriminimit; mbrojtjen e të drejtave themelore gjatë kërkimit të provës; rritjen e standardit për dërgimin e çështjes në gjyq; prezumimin e pafajësisë dhe ndalimin e publikimit; regjimin e pavlefshmërisë dhe papërdorshmërisë; si dhe standardet e gjykimit të drejtë dhe publicitetin e seancës.

Kontributet në kuadër të procesit të konsultimit dhe përmirësimit të përmbajtjes së këtij projektligji, do të përcillen nga subjektet e interesuara nëpërmjet postës elektronike drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, me anë të regjistrit elektronik në adresën http://www.konsultimipublik.gov.al, në adresën postare të Ministrisë së Drejtësisë “Bulevardi “Zogu I-rë”, Tiranë”, si dhe në adresën e emailit të Koordinatorit për konsultimin publik: Greis.Como@drejtesia.gov.al.

Komentet nga qytetarët

arrow

Xhilberta S.

Arresti me burg:
b) Pragu i 5 vjetëve. Ky është kufizimi më i gjerë. Për të gjitha veprat me maksimum nën 5 vjet burgim, arresti në burg përjashtohet si rregull.
Nuk mund te ekzistoje ky ndryshim apriori. Disa vepra me ndikim të madh shoqëror kanë maksimum nën 5 vjet. Ligji duhet detyrimisht te kete përjashtime të posaçme për këto vepra, ne rast se ky ndryshim do te hyje ne fuqi. Disa nga veprat penale te cilat bejne pjese ne kete kategori si me poshte:
(maksimum nën 5 vjet):
kanosja (84, 83/a);
përndjekja (121/a, 4 vjet);
plagosja e lehtë me dashje (89);
dhunimi i banesës (112);
shkatërrimi i pronës (150);
korrupsioni aktiv i zyrtarëve publikë (244) dhe i gjyqtarëve dhe prokurorëve (319, 4 vjet);
mospagimi i taksave (181);
kanosja dhe kundërshtimi për shkak të detyrës (238);
drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt (291);
moskallëzimi i krimit (300);
dëshmia dhe përkthimi i rremë (306, 308);
shkelja e fshehtësisë së votimit (327).
Disa vepra me maksimum nën 5 vjet kanë rrezik të lartë për viktimën. Shembuj janë format bazë të dhunës në familje (neni 130/a, paragrafët 1–2), përndjekja (121/a) dhe kanosja (84, 83/a). Ndalimi i plotë mund të cenojë detyrimet pozitive të shtetit sipas neneve 2, 3 dhe 8 të KEDNJ-së dhe Konventës së Stambollit.

Postuar më: 01.10.2026 11:41

arrow

Ana Ç.

Vendosja e një ndalimi absolut për aplikimin e "arrestit me burg" për veprat deri në 5 vite, i heq gjyqtarit të drejtën diskrecionale për të vlerësuar nëse një person i caktuar (për shembull, një person me precedentë të shumtë penalë apo një person që ka tentuar të arratiset) përbën rrezik real për shoqërinë. Ligji nuk duhet të krijojë "amnisti të parakohshme automatike" gjatë hetimit pa marrë parasysh rrethanat specifike të çështjes.

Lënia e këtyre personave në liri apo në masa më të lehta (si detyrimi për t'u paraqitur) rrit në mënyrë drastike rrezikun e ndikimit te dëshmitarët, asgjësimit ose falsifikimit të provave që ndodhen ende në institucione apo zyra ku autorët mund të kenë akses. Kjo vështirëson punën e prokurorisë për zbardhjen e të vërtetës dhe cënon parimin e efikasitetit të hetimeve.

Për vepra si kanosja apo dhuna e lehtë (të cilat hyjnë në këtë kategori dënimi), mosaplikimi i arrestit me burg rrit rrezikun e përsëritjes së veprës penale ndaj të njëjtit viktimë. Kjo shkel të drejtën e viktimave për një proces të rregullt ligjor dhe mbrojtje efektive nga ana e shtetit, duke krijuar një ndjenjë pasigurie në komunitet.

Që një masë alternative (si arresti në shtëpi apo monitorimi elektronik) të jetë efektive, shteti duhet të ketë kapacitete të plota mbikëqyrëse.
* Argumenti: Në kushtet kur Shqipëria ende vuan nga mungesa e monitorimit të plotë dhe efektiv elektronik (byzylykëve elektronikë) dhe kapaciteteve policore për të kontrolluar çdo person në "arrest shtëpie", ky ndryshim ligjor do të sillte dështimin e parandalimit të largimit të personave nën hetim. Rrjedhimisht, ligji nuk mund të bllokojë masën e paraburgimit pa garantuar më parë se masat zëvendësuese janë 100% të zbatueshme.

Postuar më: 01.10.2026 03:25

arrow

Maend Kullaj

- Analiza përmbajtësore:

Neni 25/a propozohet të shtohet pas nenit 25 të KPP-së, i cili trajton ushtrimin e funksioneve të përgjithshme të prokurorit. Nisur nga objekti i nenit 25/a, sugjerohet e përshtatshme zhvendosja e tij si pozicion pas nenit 287, ose integrimi në përmbajtjen e këtij neni ekzistues, i cili trajton regjistrimin e njoftimit të veprave penale dhe referohet edhe në nenin 25/a të propozuar. Kjo çmoj se do të ishte zgjidhje më koherente dhe do të ofronte qartësi në leximin sistematik të dispozitave.

Fjalia e fundit e nenit 33/a të propozuar parashikon se: “[...] Përgjegjësia sipas këtij neni buron nga veprimet e mësipërme, pavarësisht efektivitetit të procedimit penal.” Nuk del qartë se çfarë kuptohet me togfjalëshin “efektivitetit të procedimit penal” në këtë rast, por nisur nga konteksti, sugjerohet zëvendësimi me fjalën “vijueshmërisë së procedimit penal”.

Paragrafi i ri në nenin 75/a të KPP-së, i cili shtohet me nenin 9 të projektligjit, nisur edhe nga fjalia e fundit se, gjejnë zbatim rregullat e kompetencës tokësore, sugjerohet të zhvendoset si pikë e dytë e nenit 78 mbi kompetencën për procedimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjithashtu, paragrafi duhet të riformulohet për të pasqyruar drejt parimin e “kompetencës lëndore mbetëse” që kanë gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm në raport me ato të posaçëm, përcaktuar në nenin 74 të KPP-së. Së fundi, termi “GJKKO” duhet të shtjellohet në formën e gjatë të tij, në përputhje me referencat ekzistuese përgjatë Kodit.

Sa i përket ndryshimeve të nenit 103, veçohet fjalia e dytë në pikën 3: “Ky detyrim nuk pengon të drejtën e personave të mësipërm për të treguar në publik këndvështrimin e tyre për ngjarjet, pa përhapur përmbajtjen e akteve të mësipërme.”. Në kushtet ku më sipër renditen organi procedues, kallëzuesi, viktima, i pandehuri ose personi nën hetim dhe mbrojtësit e tyre, çmoj se ky parashikim nuk mund të lihet gjithëpërfshirës. Neni 7(1)(a) i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ndër kufizimet për shkak të funksionit, rendit edhe ndalimin e bërjes publike të të dhënave ose informacioneve për çështjet që i janë caktuar. Për këtë arsye, sugjerohet që, pas fjalës “të mësipërm”, të shtohet togfjalëshi “me përjashtim të organit procedues”.

Fjalët “regjistrim fonografik” në nenin 115(3), sugjerohet të zëvendësohen me fjalët “regjistrim audio”, për të qenë në harmoni me terminologjinë në ndryshimet e neneve 116 dhe 122 të KPP-së.

Sa i përket shtimit të pikës 4 në nenin 151, ndonëse vlerësohet qëllimi i propozuesve i shpalosur edhe në relacionin shpjegues, dispozita mund të keqkuptohet në lexim të parë. Përjashtimi i vendosur, nga leximi literal, mund të kuptohej në mënyrë absurde sikur përligjte marrjen e deklarimeve nëpërmjet torturës vetëm ndaj një personi të akuzuar po për torturë, ndërkohë që qëllimi është krejt tjetër: të provohet ekzistenca e deklaratës së marrë në kushte torture. Këtë kuptim jep edhe neni 15 i Konventës së OKB-së kundër Torturës, e cila kërkon pranimin e përdorshmërisë së deklaratës nën torturë si provë materiale për kryerjen e vetë torturës. Pra, ndryshe nga parashikimi i propozuar, nuk flitet për përgjegjësinë penale, por për ekzistencën e faktit. Në këtë drejtim, sugjerohet rishikimi i formulimit të nenit 151(4) të propozuar, për një transpozim më besnik të Konventës.

Pasojat që vijnë nga shkelja e dispozitave për caktimin e ekspertit, të propozuara me pikën 5 të nenit 179 të KPP-së, për të siguruar zbatim të efektshëm sugjerohet një ndërhyrje te pika 2 e po këtij neni, duke u parashikuar se, vendimi i organit procedues për caktimin e ekspertit njoftohet “menjëherë” ose “brenda 24 orëve”, sipas vlerësimit tuaj. Në të kundërt, në praktikë mosnjoftimi mund edhe të kundërshtohet, me pretendimin se është kryer i rregullt në përfundim të hetimeve paraprake.

Standardi i provueshmërisë për masat e sigurimit në nenin 228(1) ka mospërputhje në dukje me atë në nenin 222(1). Konkretisht, ky i fundit përdor standardin “ka të dhëna të rëndësishme, bazuar në prova konkrete dhe të verifikueshme, se ai ka kryer një vepër penale.”, ndërsa neni 228(1) i propozuar përdor fjalët “të dhëna të rëndësishme fajësie, bazuar në prova konkrete dhe të verifikueshme.”. Çmoj se, është shumë e rëndësishme që termi “fajësie” të rishikohet për të siguruar terminologji të njëtrajtshme të standardit të provueshmërisë.

Referenca në nenin 229(4) duhet të saktësohet, pasi dukshëm bëhet fjalë për një “vlerësim” në një prej pikave pararendëse të nenit, dhe jo në vetë pikën 4.

Ndër ndryshimet në nenin 237 të KPP-së me nenin 44 të projektligjit, parashikohet edhe se: “2. Nuk mund të vendoset arresti në shtëpi : [...]
b) kur gjykata që shqyrton masën e sigurimit vlerëson se, edhe nëse në përfundim të gjykimit do të merrej vendim dënimi:
i) mund të urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë; ose
ii) masa e dënimit që do të jepet nuk do të jetë më e lartë se tre vjet burgim.”
Në vlerësimin tim, shtimi i rrethanës “b” është tejet i paarsyeshëm. Gjykata që shqyrton masën e sigurimit, në kuptim të kësaj dispozite, më së shumti rezulton gjykata e hetimeve paraprake, e cili nuk pritet të disponojë të dhëna të mjaftueshme nga procedimi për të hyrë në një vlerësim të tillë prognostik mbi masën e një dënimi eventual në gjykimin e themelit. Vendoset në diskutim zbatueshmëria në praktikë e këtij parashikimi. Të njëjtat argumente vlejnë edhe për parashikimin homolog në nenin 238(3)(c) mbi arrestin në burg. Sugjerohet heqja e tyre nga varianti përfundimtar i projektligjit.

Sa i përket shtimit të pikës 2 në nenin 277, vlen i njëjti sugjerim si për nenin 25/a më lart: vend më i përshtatshëm për vendosjen e këtij parashikimi të ri do të ishte pas, ose integruar në nenin aktual 287 të KPP-së.

Në lidhje me veprimtarinë hetimore të mbrojtësit, në nenin 277/a dhe Kreun V/1 mund të jetë e nevojshme të sqarohet ose të shprehet nëse dhe si ky rol gjen zbatim në çështjet e gjykuara me kërkesë të viktimës akuzuese ose akuzës private sipas nenit 59 të KPP-së, lidhur me procesin e mbledhjes së provave përpara paraqitjes së kërkesës për gjykim dhe të provuarit e akuzës.

Detyrimi i mbrojtësit ose konsulentit teknik, për të paralajmëruar personin të cilit po i marrin deklaratë, mbi përgjegjësinë penale që rrjedh nga dhënia e deklaratave të rreme, propozuar me nenin e ri 315/a(3)(dh), çmoj se nuk qëndron, në kushtet ku aktualisht, vepër penale përbëjnë vetëm deklaratat e rreme të dhëna përpara prokurorit dhe oficerit të policisë gjyqësore. Në rast se nuk pritet të ketë një inkriminim të ri për deklaratat e rreme përpara mbrojtësit, sugjeroj që të hiqet ky detyrim nga lista.

Neni 315/c mund të zgjerohet për të pasqyruar të drejtat e plota të mbrojtësit për administrim dokumentacioni. Propozimi aktual trajton vetëm dokumentacionin e kërkuar nga administrata publike, ndërkohë që ligji nr. 55/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë” e shtrin të drejtën dhe detyrimin edhe te subjektet private. Konkretisht, neni 11(b) parashikon se: “Avokati, në ushtrim të profesionit të tij, ka të drejtë: [...] b) të kërkojë të dhëna, shpjegime ose dokumente që kanë lidhje me çështjen ose klientët që përfaqësohen ose mbrohen prej tij, nga çdo institucion i administratës publike, gjykatat, prokuroritë, gjykatat e arbitrazhit, noterët, përmbaruesit, organet e Policisë së Shtetit, apo nga çdo ent publik ose subjekt privat, në përputhje me rregullat dhe afatet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi;”. Kësaj të drejte të avokatit i përgjigjet detyrimi i subjekteve në nenin 12 të ligjit: “1. Gjatë ushtrimit të profesionit të avokatit, çdo institucion i administratës publike, gjykatat, prokuroritë, gjykatat e arbitrazhit, noterët, përmbaruesit, organet e Policisë së Shtetit, apo çdo ent tjetër publik ose subjekt privat, janë të detyruara të plotësojnë kërkesat e ligjshme të avokatit në lidhje me: a) vënien në dispozicion të avokatit, brenda një afati të arsyeshëm, të informacioneve të kërkuara prej tij, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe me ligj të veçantë; b) plotësimin e kërkesave ligjore të avokatit, në përputhje me kompetencën dhe procedurat ligjore që rregullojnë veprimtarinë e organit; [...]”. Në këtë drejtim, sugjerohet përfshirja e subjekteve private në regjimin e nenit 315/c.

Pika 1/1 që propozohet të shtohet në nenin 328 të KPP-së, me nenin 81 të projektligjit, parashikon se: “1/1. Nëse për kundërvajtjen ose krimin që procedohet me ankim të viktimës, nuk është i pranishëm një prej rasteve të pushimit, të përcaktura në pikën 1 të këtij neni, por prokurori vlerëson se nga provat e mbledhura nuk ka një pritshmëri të arsyeshme për dënim, ai i kërkon gjyqtarit të seancës paraprake pushimin e akuzës ose të çështjes.”. Ky parashikim duhet vlerësuar me kujdes pasi, mund të shfaqet si ndërhyrje ligjore e tepërt e cila krijon mbivendosje në praktikë. Kjo sepse, kjo rrethanë e re, e cila lidhet me standardin e ri të provueshmërisë së “pritshmërisë së arsyeshme për dënim” të përkufizuar në nenin 332/d/1, mund të krijojë vështirësi për t’u dalluar nga rasti ekzistues i pushimit në nenin 328(1)(dh) “del se i pandehuri nuk e ka kryer veprën ose nuk provohet që e ka kryer ai”. I njëjti argument vlen edhe për propozimet homologe në nenet 329(a), 329(b) dhe 332/dh(b).

Sa i përket ndryshimeve të propozuara në nenin 329(c), nevojitet të saktësohet standardi në pikën 1, pasi përdoret togfjalëshi “parashikim i arsyeshëm për dënim”, ndërkohë që standardi bazë i propozuar është “pritshmëri e arsyeshme për dënim”.

Pikat e propozuara për t’u shtuar në nenin 339 mbi transmetimin e drejtpërdrejtë të seancës së gjykimit në themel duhet të vlerësohen në harmoni edhe me nenin 103(11) të propozuar. Në kushtet ku ndryshimet në nenin 339 parashikojnë mundësinë e transmetimit të drejtpërdrejtë të seancës gjyqësore, ndërsa neni 103(11) ndalon transmetimin e pamjeve të personave të privuar nga liria që janë subjekt i masave të shtrëngimit fizik, duhet të sqarohet raporti ndërmjet këtyre dispozitave. Konkretisht, duhet të përcaktohet nëse dhe në çfarë kushtesh transmetimi i autorizuar i seancës mund të përfshijë pamjet e një personi të tillë, si për shembull në rastin e të pandehurit në kafazin prej xhami të sallës, duke garantuar që autorizimi gjyqësor për transmetimin të mos interpretohet si zëvendësim i pëlqimit të shprehur dhe të dhënë lirisht, të kërkuar nga neni 103(11).

Sa i përket gjykimit të shkurtuar, pika 10 që propozohet të shtohet në nenin 405 të KPP-së parashikon shprehimisht se: “10. Kur gjykata pranon kërkesën për gjykim të shkurtuar, gjyqtari që ka pranuar dërgimin e çështjes në gjyq nuk mund të bëjë pjesë në trupën gjykuese të çështjes.” Ky propozim verëhet se nuk është në harmoni me ndryshimet pararendëse në nenin 332/dh(1)(c) me ligjin nr. 41/2021, të cilat vendosën konceptin e “shndërrimit” të gjyqtarit të seancës paraprake në gjyqtar themeli kur pranohet kërkesa për gjykim të shkurtuar, përfshirë plotësimin e trupës gjyqësore në rastin e veprave penale të rënda. Nevojiten ndërhyrjet e nevojshme për të shmangur përplasjet mes dispozitave.

Postuar më: 10.10.2026 01:13

arrow

Adena V.

Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri, në cilësinë e organizatës jofitimprurëse, e pavarur, jo-politike, e cila punon për fuqizimin e grave dhe vajzave, mbron të drejtat e tyre dhe lufton pabarazitë gjinore, regjistruar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë me vendimin nr. 1738, datë 28/06/2022, sugjeron rishikimin e projektligjit "Per disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr.7905, date 21.03.1995, 'Kodi i Procedures Penale i Republikes se Shqiperise', i ndryshuar”, sa i përket çështjeve në vijim:

1) Tërheqja e ankimit ose ndryshimi i deklarimeve të viktimës të mos zëvendësojë hetimin e plotë

Neni 81 i projektligjit, shtesa në nenin 328, pika 1/1 të KPP-së.

Shtesa e re i lejon prokurorit të kërkojë pushimin e akuzës osë të çështjes për kundravajtje penale dhe vepra që procedohen me ankim të viktimës kur vlerëson së nuk ka pritshmëri të arsyeshme për dënim. Pa një standard të shprehur për çështjet e dhunës, ekziston rreziku që tërheqja e deklarimit osë mosparaqitja e viktimës të trajtohet si zëvendësim i hetimit të plotë.

Qendra për Drejtësi Gjinore sugjeron të saktësohet se kur procedimi lidhet me dhunën ndaj grave, dhunën në familje, dhunën seksuale ose përndjekjen, vlerësimi se nuk ka pritshmëri të arsyeshme për dënim nuk mund të mbështetet vetëm në tërheqjen e ankimit, ndryshimin e deklarimeve ose mosbashkëpunimin e viktimës. Përpara paraqitjes së kërkesës për pushim, prokurori të dokumentojë veprimet hetimore të arsyeshme të ndërmarra për sigurimin e provave të tjera të disponueshme dhe të arsyetojë pse veprimet e mëtejshme nuk mund të kryhen ose nuk pritet të japin rezultat.

Prokurori duhet të vlerësojë, sipas rrethanave të çështjes, dokumentacionin mjekësor, komunikimet, të dhënat elektronike, dëshmitarët, raportet e mëparshme dhe shkeljet e masave të mbrojtjes. Ky formulim nuk imponon ndjekje automatike të çdo rasti, por kërkon që vendimi për pushim të bazohet në një vlerësim të dokumentuar të provave dhe të veprimeve hetimore të arsyeshme. GREVIO ka vënë në dukje se tërheqja e deklarimit shpesh sjell ndërprerjen e procedimit dhe ka rekomanduar mbledhjen në kohë të provave përtej deklarimit të viktimës.
Gjithashtu, në opinionin tonë ndryshimi i propozuar në nenin 328 nuk e zgjidh i vetëm problemin kur ndjekja penale mbetet e kushtëzuar nga ankimi dhe ligji lejon tërheqjen e tij në çdo fazë. GREVIO ka evidentuar veçanërisht këtë problem për veprat penale të parashikuara nga nenet 102, paragrafi i parë, 106 dhe 130 të Kodit Penal. Do të duhej të shqyrtohej neni 284, pika 1, duke hequr nga lista e veprave që ndiqen vetëm me ankim të viktimës referencat ndaj neneve 102, paragrafi i parë, 106 dhe 130 të Kodit Penal, në përputhje me fushën e zbatimit dispozitave të Konventës së Stambollit. në mënyrë që dispozitat ligjore të harmonizoheshin me njëra tjetrën.


2) Historiku i dhunës dhe shkeljet e mëparshme të masave të merren parasysh gjatë vlerësimit të rrezikut

Neni 39 i projektligjit, që shton nenin 231/a, pika 3 në KPP.

Pika 3 e nenit të ri 231/a parashikon që vazhdimësia, recidivizmi dhe rrethanat e veprës nuk merren parasysh, përvec përjashtimeve të renditur. Në çështjet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, përsëritja, përshkallëzimi, kërcënimet dhe mosrespektimi i urdhrave të mëparshëm mund të jënë tregues të rëndësishëm të rrezikut aktual ndaj viktimës.

Sugjerimi ynë është të shtohet në fund të pikes 3 të nenit 231/a:

“Rregulli i parashikuar në fjalinë e dytë të kësaj pike nuk kufizon vlerësimin e nevojave të sigurimit sipas neneve 228 dhe 229 të këtij Kodi. Në procedimet për dhunë ndaj grave, dhunë në familje, dhunë seksuale, përndjekje ose kanosje, gjykata vlerëson, mbi bazën e të dhënave konkrete, historikun e incidenteve të dhunës, përsëritjen ose përshkallëzimin e tyre, shkeljet e mëparshme të urdhrave të mbrojtjes ose të masave të sigurimit dhe komunikimet kërcënuese, si tregues të mundshëm të rrezikut konkret dhe aktual ndaj viktimës.”

Formulimi ndan qartë vlerësimin e rrezikut për marrjen e masës së sigurimit nga vendimarrja mbi fajësine. Ai shmang që gjykata të shpërfillë historikune dhunës vetëm sepse këto rrthana nuk merren parasysh për një qëllim të caktuar të caktimit të masës. Duhet një vlerësim individual dhe dinamik të rrezikut, duke përfshirë incidentet e mëparshme dhe shkeljet e masave të mbrojtjes.


3) Neni 41 i projektligjit, nenet e reja 235/a dhe 235/b të KPP-së

Neni i ri 235/b, pika 4, kërkon që vendimi t’i komunikohet edhe viktimës, por nuk specifikon afatin, mënyrën e sigurt të njoftimit, ose detyrimin për njoftim kur masa ndryshohet, zëvëndësohet, revokohet apo përfundon. Neni 235/a nuk ka një rregull të njëjtë të qartë për të gjitha këto situata të sipërcituara. Sugjerojmë se duhet përcaktuar një afat për komunikimin mbi caktimin e masës drejt viktimës. I njëjti detyrim të zbatohet për çdo vendim që ndryshon, zëvendëson, revokon apo i jep fund masës së sigurimit. Viktima duhet të dijë menjëherë nëse ndalimi i kontaktit vazhdon të jetë në fuqi. Njoftimi i sigurt dhe vlerësimi i rrezikut para dobësimit të masës ndihmojnë në parandalimin e shkeljeve dhe lejojnë planifikimin e sigurisë. Njoftimi nuk duhet të zbulojë në asnjë moment adresën e strehimit apo të vendqëndrimit.

4) Njoftimi për seancat dhe ankimet të mos varet nga shënimi i adresës së banimit të viktimës në fashikull

Neni 82 i projektligjit, ndryshimi i nenit 329 pika 3 dhe neni i ri 112/a i KPP-së.

Neni 82 kërkon njoftimin e viktimës ose trashëgimtarëve kur identiteti dhe vendbanimi i tyre rezultojnë nga aktet e procedimit. Kjo mund të përjashtojë praktikisht viktimat që përdorin strehim të sigurt, kanë ndryshuar adresë ose kanë kërkuar që adresa të mos bëhet pjesë e dosjes për arsye sigurie. Në nenin 112/a, pika 1, njoftimi i personave të interesuar nuk lidhet shprehimisht me përdorimin e një kontakti të sigurt.

Sugjerojmë që në nenin 329, pika 2 sipas ndryshimit të propozuar në nenin 82 të projektligjit, të zëvëndësohet togëfjalëshi “viktimën osë trashëgimtarët e saj kur vendbanimi i tyre rezultojnë nga aktet e procedim”t" me “viktimën, trashëgimtarët e saj ose përfaqësuesin ligjor apo të autorizuar të viktimës, nëpërmjet të dhënave të kontaktit të sigurt të deklaruara prej tyre, pa e kushtëzuar njoftimin nga pasqyrimi i adresës së banimit në aktet e procedimit.” Gjithashtu sugjerojme që në nenin 112/a, pas pikës 1 të shtohet: “Kur çështja osë kërkesa lidhet me sigurinë, mbrojtjen, ndryshimin, ose revokimin e një masë që ndikon drejtpërdrejt në sigurine e viktimës, njoftimi i viktimës ose i përfaqësues së saj behet nëpërmjet kontaktit të sigurt të deklaruar prej saj”.

Kjo shmang përjashtimin e viktimës nga njoftimi për shkak të mungesës së një adrese në fashikull dhe mbron konfidencialitetin e vendqëndrimit të saj. Pika 10 e nenit të ri 112/a përjashton disa procedime, përfshirë ato sipas nenit 244, pika 1. Për këtë arsye, garancia për njoftimin e vendimeve mbi masat e sigurimit duhet të vendoset drejtpërdrejt edhe në nenet 235/a dhe 235/b, siç propozohet më sipër.

5) Transmetimi i drejtpërdrejtë online të mos ekspozojë viktimën ndaj rrezikut ose riviktimizimit

Neni 94 i projektligjit, që shton pikat 1/1 deri në 1/4 në nenin 339 të KPP-së

Projektligji lejon transmetimin e drejtpërdrejtë online të seancës me autorizim të gjykatës, kur ajo vlerëson se të drejtat e viktimave mbrohen në mënyrë të përshtatshme. Nuk kërkohet shprehimisht pëlqimi i informuar i viktimës në rastet e dhunës ndaj grave, dhunës në familje, dhunës seksuale ose përndjekjes. Mbyllja e lidhjes pas seancës dhe ndalimi i ripërdorimit pa autorizim nuk e eliminojnë plotësisht rrezikun e regjistrimit nga persona që ndjekin transmetimin ose të identifikimit të viktimës. Sugjerojmë që në pikën 1/1 të nenit 339 të shtohet se në procedimet për dhunë ndaj grave, dhunë në familje, dhunë seksuale ose përndjekje, transmetimi i drejtpërdrejtë online të autorizohet vetëm pas pëlqimit të shprehur dhe të informuar të viktimës dhe vlerësimit individual nga gjykata të rrezikut për sigurinë, privatësinë dhe riviktimizimin e saj. Mungesa e kundërshtimit nuk përbën pëlqim. Gjatë transmetimit të ndalohet shfaqja e të dhënave që identifikojnë viktimën ose vendqëndrimin e saj të sigurt.

Me sugjerimin tonë synojmë të konkretizohet garancia e përgjithshme për mbrojtjen e të drejtave të viktimës dhe e lidh autorizimin me vlerësimin e individualizuar të rrezikut. Qasja është në përputhje me detyrimin për të mbrojtur viktimat nga frikësimi dhe riviktimizimi gjatë procedimit.


Neni 13 i projektligjit, që parashikon marrjen pa pagesë të kopjeve edhe nga viktima. Është përmirësim i dobishëm për aksesin në procedim. Sugjerojmë që në fjalinë që përjashton pagesën për viktimën, të shtohet shprehja “ose nga përfaqësuesi ligjor apo i autorizuar i viktimës”. Saktësimi shmang paqartësi praktike kur viktima përfaqësohet nga avokati ose nga një përfaqësues i autorizuar dhe mbështet aksesin efektiv në materialet e procedimit.

Postuar më: 12.10.2026 01:08

Identifikohu për të komentuar