Njoftim për konsultim publik për Planin e Veprimit për 5 prioritetet e rekomanduara nga Komisioni për vitin 2017

Ministria e Integrimit Europian

|

Postuar më: 28.04.2017

PDF

|

XML

Ministria e Integrimit Europian, në kuadër të përgatitjeve për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ka iniciuar hartimin e Planit të Veprimit për adresimin e Rekomandimeve afatshkurtra për 5 prioritetet, të Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2016. Ky Plan vijon punën e nisur nga Udhërrëfyesi për 5 prioritetet e rekomanduara nga Komisioni Evropian, sikurse miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 330, datë 28.05.2014 “Për miratimin e Udhërrëfyesit për 5 prioritetet e rekomanduara nga Komisioni Evropian, 2013”.

Pesë prioritetet u përcaktuan nga Komisioni Evropian në Paketën e Zgjerimit të vitit 2013, publikuar në 16 tetor 2013, si më poshtë:
1. Të vazhdojë të zbatojë reformën në administratën publike duke synuar forcimin e profesionalizmit dhe depolitizimin e administratës publike;
2. Të marrë masa të tjera për të forcuar pavarësinë, eficencën dhe llogaridhënien e institucioneve të drejtësisë;
3. Të bëjë përpjekje të tjera të vendosura në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë krijimin e një historiku solid të hetimeve proaktive, ndjekjeve dhe dënimeve penale;
4. Të bëjë përpjekje të tjera të vendosura në luftën kundër krimit të organizuar duke përfshirë krijimin e një historiku solid të hetimeve proaktive, ndjekjeve dhe dënimeve penale;
5. Të marrë masa efektive për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë politikat për Romët dhe anti-diskriminimin, si dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë. 

Në Paketën e Zgjerimit të vitit 2016, publikuar në 9 nëntor 2016, Komisioni Evropian rekomandoi, duke pasur parasysh përparimin e bërë nga Shqipëria në plotësimin e prioriteteve kryesore dhe në përgjithësi në të gjitha fushat, hapjen e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, me kusht përparimin e besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, dhe veçanërisht rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. 

Plani i Veprimit synon vazhdimin e qëndrueshëm dhe efektiv të plotësimit të 5 prioriteteve kryesore, sikurse përcaktuar në Paketën e Zgjerimit të Komisionit Evropian në vitin 2013. 

Plani i Veprimit do të plotësojë Udhërrëfyesin si një dokument bazë mbi të cilin bazohet veprimtaria e të gjitha ministrive dhe institucioneve të tjera publike të përfshira.

Plani i Veprimit përfshin hapat konkretë për çdo prioritet të veçantë dhe përgjegjësinë institucionale për çdo prioritet dhe masë. Plani fokusohet në plotësimin efektiv të rekomandimeve të Komisionit të paraqitura në Raportin e vitit 2016 dhe veçanërisht në arritjen e rezultateve të para të reformës në drejtësi dhe në konsolidimin e masave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Plotësimi i Udhërrëfyesit do të sigurojë koordinimin dhe monitorimin e aktiviteteve për zbatimin e tyre në kohë në kuadër të adresimit të 5 prioriteteve kyçe, gjatë vitit 2017.

Realizimi i Planit të Veprimit do të jetë një hap i mëtejshëm në forcimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin e përshpejtuar ekonomik dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Më tej, realizimi i tij do të shërbejë edhe për të bindur Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian, d.m.th. Këshillin e Bashkimit Evropian, mbi vendosmërinë dhe seriozitetin e Republikës së Shqipërisë në plotësimin e Kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. 

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.