P/Ligji"Per disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr.10463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

|

Postuar më: 31.07.2019

PDF

|

XML

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ju fton ne degjesen publike per P/Ligjin "Per disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr.10463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, qe do te zhvillohet ne ambientet e Ministrise se Turizmit dhe Mjedisit, ne daten 9 Shtator 2019, ora 10.00.

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

 

Ligj

(Projekt)

 

(Nr. ___, datë _____ 2019)

 

“PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10463, DATË 22.09.2011 “PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË MBETJEVE”, TË NDRYSHUAR[1]

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjin nr. 10463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa e ndryshime:

Neni 1

Në nenin 3, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1.Pas pikës 23, shtohet pika 23/1 me këtë përmbajtje:

23/1 “Mbetje bashkiake” janë:

a) mbetjet e përziera dhe mbetjet e grumbulluara veçmas nga sektori familjar, duke përfshirë letrën dhe kartonin, qelqin, metalet, plastikën, mbetjet bio, drurit, tekstilet, ambalazhet, mbetjet nga pajisjet elektrike dhe elektronike, bateritë dhe akumulatorët dhe mbetjet voluminoze, përfshirë dyshekët dhe mobiljet;

b) mbetjet e përziera dhe mbetjet e grumbulluara veçmas nga burime të tjera, ku mbetja është e ngjashme në natyrë dhe përbërje me mbetjet shtëpiake. Mbetjet bashkiake nuk përfshijnë mbetjet nga aktiviteti prodhues, bujqësia, pyjet, peshkimi, gropat septike dhe rrjeti i kanalizimit dhe trajtimi të ujrave të përdorura, duke përfshirë llumrat e ujërave të zeza, automjetet në fund të jetës ose mbetjet e ndërtimit dhe shkatërrimit.

Ky përkufizim nuk paragjykon ndarjen e përgjegjësive për menaxhimin e mbetjeve ndërmjet aktorëve publikë dhe atyre private.

2. Pika 32, ndryshohet si më poshtë:

32.“Menaxhim i integruar i mbetjeve” është grumbullimi, transporti, rikuperimi (përfshirë ndarjen) dhe asgjësimi i mbetjeve dhe mbikëqyrja e këtyre operacioneve, kujdesi i mëtejshëm për vendet e asgjësimit, si dhe veprimet e ndërmarra në cilësinë e tregtarit apo agjentit.”

3. Pika 24 ndryshon si më poshtë:

24. “Mbetjet e ndërtimit dhe shkatërrimit” janë mbetjet që gjenerohen nga veprimtaria e ndërtimit dhe e shkatërrimit/prishjes.

4. Pas pikës 53, shtohen pikat 53/1, 53/2, 53/3, 53/4 dhe 53/5 me këtë përmbajtje:

53/1. “Mbetje ushqimore” nënkupton çdo substancë ose produkt, qoftë i përpunuar, i përpunuar pjesërisht ose i papërpunuar, që synon të jetë ose pritet të jetë i konsumueshëm nga njerëzit, i shndërruar në mbetje.

53/2. “Rikuperim materiali” nënkupton çdo operacion të rikuperimi, përveç rikuperimit të energjisë dhe ripërpunimit të materialeve që do të përdoren si lëndë djegëse ose mjete të tjera për të gjeneruar energji. Përfshin, ndër të tjera, përgatitjen për ri-përdorim, riciklim dhe rimbushjen;

53/3. “Rimbushja” nënkupton çdo operacion rikuperimi ku përdoren mbetje të përshtatshme, jo të rrezikshme për qëllime rimbushje të zonave të gërmuara ose për qëllime inxhinierike në peizazh. Mbetjet e përdorura për rimbushje duhet të zëvendësojnë materialet jo-mbetje/lëndën e parë, të jenë të përshtatshme për qëllimet e lartpërmendura dhe të kufizohen në sasinë e nevojshme për të arritur këto qëllime.

53/4. “Skema e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit” nënkupton një sërë masash të marra nga Ministria për të siguruar që prodhuesit e produkteve të mbajnë përgjegjësi financiare ose përgjegjësi financiare dhe organizative për menaxhimin e mbetjes gjatë periudhës të ciklit të jetës të një produkti.

53/5. “Zona e Menaxhimit të Mbetjeve (ZMM)” është territori nën juridiksionin e një ose më shumë njësive e vetëqeverisjes vendore, të cilat karakterizohen nga tipologji gjeografike të ngjashme dhe që siguron një rrjet rrugor komunikimi të pandërprerë dhe me kosto efektive, për lehtësimin e mbledhjes dhe transportit të mbetjeve nga vendet e grumbullimit dhe të transferimit, në destinacionet e trajtimit paraprak, rikuperimit dhe depozitimit përfundimtar të mbetjeve.

Neni 2

Në nenin 6, pas pikës 4, shtohet pika 5 me këtë përmbajtje:

“5. Ministria dhe Ministria përgjegjëse për infrastrukturën do të përdorin instrumente ekonomike dhe masa të tjera për të siguruar stimuj për zbatimin e hierarkisë së mbetjeve, sipas Shtojcës 6 të këtij ligji ose instrumentet dhe masat e tjera të përshtatshme.”

Neni 3

Në kreun II, të ligjit bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

1. Emërtimi i kreut II, ndryshohet si më poshtë:

“DOKUMENTI I POLITIKAVE STRATEGJIKE TË MENAXHIMIT TË INTEGRUAR TË MBETJEVE DHE PLANET E MENAXHIMIT TË INTEGRUAR TË MBETJEVE”.

2. Pas nenit 9, në kreun II të këtij ligji, shtohen nenet 9/1 dhe 9/2 me këtë përmbajtje:

“Neni 9/1

 Dokumenti i Politikave Strategjike i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve

1. Dokumenti i Politikave Strategjike i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve hartohet nga Ministria dhe përbën dokumentin bazë të planifikimit strategjik në fushën e mbetjeve për një periudhë afatgjatë, të paktën 15 vjeçare, dhe përcakton vizionin e politikave të shtetit, misionin, qëllimet dhe objektivat në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve.

2. Dokumenti i Politikave Strategjike i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve bazohet në kërkimet shkencore, vëzhgimin e vazhdueshëm të situatës dhe fenomenet që kanë lidhje me menaxhimin e integruar të mbetjeve, në përputhje me objektivat dhe parimet e mbrojtjes së mjedisit, të përcaktuara në ligjin nr.10431, datë 09.06.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”, i ndryshuar.

3. Dokumenti i Politikave Strategjike i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve hartohet nga Ministria dhe përbën dokumentin kuadër për menaxhimin e integruar të rrymave të mbetjeve, si: bashkiake, jo bashkiake dhe ato të rrezikshme, si dhe shërben si dokument orientues për zhvillimin e planeve dhe dokumenteve të tjera strategjike.

4 Dokumenti i Politikave Strategjike i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve rishikohet çdo 15 vjet. Strategjia mund të rishikohet dhe të përditësohet edhe para përfundimit të këtij afati, në qoftë se një gjë e tillë diktohet nga ndryshimet në sistemin e menaxhimit të mbetjeve dhe zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit.

5. Këshilli i Ministrave miraton Dokumentin e Politikave Strategjike si dhe planin e saj të veprimit.”

Neni 9/2

Procedura për hartimin dhe miratimin e

Dokumentit të Politikave Strategjike i të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve

1. Ministria publikon projektin për Dokumentin e Politikave Strategjike të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve në faqen zyrtare të internetit, duke krijuar mundësinë për pjesëmarrjen e publikut dhe të të gjitha palëve të interesuara në procesin e njoftimit e të konsultimit publik;

 

 2. Projekti i Dokumentit të Politikave Strategjike të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve i nënshtrohet vlerësimit strategjik mjedisor, sipas nenit 24 të ligjit nr. 10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar.

 

3. Projekti i Dokumentit të Politikave Strategjike të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve u dërgohet ministrive të linjës për mendim.

 

4. Ministria përgatit projektin përfundimtar të Dokumentit të Politikave Strategjike të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, pasi merr në konsideratë rezultatet e vlerësimit strategjik mjedisor, mendimet e ministrive të linjës, të Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe mendimet e publikut dhe ia dërgon atë për miratim Këshillit të Ministrave.

 

5. Këshilli i Ministrave miraton Dokumentin e Politikave Strategjike të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, i cili më pas botohet, shpallet në faqen zyrtare të ministrisë dhe vihet në dispozicion të publikut.

Neni 4

Neni 12 ndryshohet si më poshtë:

 

“Neni 12

Planet e zonës së mbetjeve dhe  planet vendore të menaxhimit të integruar të mbetjeve

 

1. Ministria përgjegjëse për infrastrukturën në përmbushje të kritereve të vendosura nga ky ligj dhe në bashkëpunim me Ministrinë, përcakton kufijtë dhe harton planin e menaxhimit të integruar të mbetjeve për zonat e mbetjeve në të gjithë territorin e Republikës në përputhje me Dokumentin e Politikave Strategjike dhe Planin Kombëtar të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve sipas kërkesave të nenit 10 dhe 12 të këtij ligji.

2. Plani i i Menaxhimit të Integruar të Zonës së Mbetjeve hartohet brenda 3 viteve nga data e miratimit të këtij ligji në përputhje me kërkesat e këtij ligji.

3. Çdo njësi e vetëqeverisjes vendore apo dy ose me shumë njësi të vetëqeverisjes vendore hartojnë Planin Vendor të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve për territorin që kanë nën juridiksion brenda 3 viteve nga data e miratimit të planeve zonale/rajonale, në përputhje me kërkesat e nenit 10 dhe 12 të këtij ligji dhe në harmoni me Planin e Menaxhimit të Integruar të Zonës së Mbetjeve dhe në zbatim të kritereve dhe afateve të vendosura nga ky ligj .

4. Këshilli i Ministrave me propozim të përbashkët të Ministrit dhe ministrit përgjegjës për infrastrukturën përcakton formën e menaxhimit dhe qeverisjes së Zonës së Mbetjeve dhe miratojnë operatorin ose autoritetin menaxhues të Zonës së Mbetjeve, si përgjegjës për përmbushjen e detyrimeve të këtij ligji dhe akteve të tjera në fuqi.

5. Planet zonale dhe vendore të menaxhimit të integruar të mbetjeve rishikohen dhe, në rast se është e nevojshme, përditësohen të paktën çdo gjashtë vjet.

6. Çdo autoritet apo operator i Zonës së Mbetjeve dhe çdo njësi e vetëqeverisjes vendore raporton çdo vit në Ministri dhe në ministrinë përgjegjëse për infrastrukturën për zbatimin e planit zonal dhe planit vendor të menaxhimit të integruar të mbetjeve në formatin e përbashkët të përcaktuar nga ministritë.

7. Ministria dhe ministria përgjegjëse për infrastrukturën raportojnë çdo vit në Këshillin e Ministrave për zbatimin e Planit Kombëtar të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe të planeve zonale dhe vendore të menaxhimit të integruar të mbetjeve.

Neni 5

Neni 13 ndryshohet si më poshtë:

Neni 13

“Procedurat për hartimin dhe miratimin e planeve zonale

dhe vendore të menaxhimit të integruar të mbetjeve

 

1. Ministria, operatori apo autoriteti dhe çdo njësi e vetëqeverisjes vendore publikojnë projektplanet përkatëse në faqet zyrtare të internetit dhe i vënë ato në dispozicion të publikut.

2. Projektplani zonal i menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe projektplani vendor përkatës i nënshtrohen vlerësimit strategjik mjedisor, në përputhje me nenin 24, të ligjit nr. 10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”, i ndryshuar.

3. Projekt planet zonale dhe vendore të menaxhimit të integruar të mbetjeve u dërgohen autoriteteve ose institucioneve përkatëse për mendim.

4. Publiku jep mendimet e veta për projekt planet zonale dhe vendore të menaxhimit të integruar të mbetjeve.

5. Planet zonale miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrit dhe ministrit përgjegjës për infrastrukturën. Këshillat e bashkive dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore që përbëjnë zonën e mbetjeve miratojnë paraprakisht planin zonal të menaxhimit të integruar të mbetjeve.

6. Këshilli i çdo njësie të vetëqeverisjes vendore miraton planet përkatëse vendore të menaxhimit të integruar të mbetjeve. Autoriteti miratues kur miraton planin përkatës, merr në shqyrtim rezultatet e vlerësimit strategjik mjedisor, mendimet e autoriteteve ose të institucioneve përkatëse dhe mendimet e publikut.

7. Plani zonal i menaxhimit të integruar të mbetjeve hyn në fuqi vetëm pas miratimit nga Këshilli i Ministrave ndërsaplani vendor përpara se të miratohet nga Këshilli Bashkiak, merr  vlerësimin nga Ministria mbi përputhshmërinë e këtij plani me planin e zonës së mbetjeve. Plani vendor i menaxhimit të integruar të mbetjeve hyn në fuqi pas miratimit nga këshilli bashkiak.

8. Planet zonale dhe vendore të menaxhimit të integruar të mbetjeve të miratuara botohen dhe i vihen në dispozicion publikut.

9. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton masa të hollësishme për zbatimin e këtij neni.

Neni 6

Në nenin 16, pas pikës 4, shtohen pikat 4/1 dhe 4/2 me këtë përmbajtje:

4/1. Kur masat e referuara në pikën 3 të këtij neni, përfshijnë vendosjen e skemave të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit, zbatohen kërkesat minimale të përgjithshme të përcaktuara në pikën 1, të nenit 16.

4/2. Ministria mund të vendosë që prodhuesit e produkteve që marrin përgjegjësi financiare ose përgjegjësi financiare dhe organizative për menaxhimin e fazës mbetje të ciklit jetësor të një produkti që i atribuohet atyre duhet të zbatojnë disa ose të gjitha kërkesat minimale të përgjithshme të përcaktuara në nenin 16/1, të këtij ligji.

Neni 7

Pas nenit 16, shtohet neni 16/1 me këtë përmbajtje:

Neni 16/1

Kërkesat minimale të përgjithshme për skemat e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit

1. Për skemat e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit të cilat janë ngritur në përputhje me pikën 1, të nenit 16 të këtij ligji dhe aktet e tjera ligjore në fuqi, Ministria duhet të:

(a) përcaktojë në mënyrë të qartë rolet dhe përgjegjësitë e të gjithë aktorëve të përfshirë, duke përfshirë prodhuesit e produkteve të cilët hedhin produktet në treg, organizatat që zbatojnë detyrimet e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit në emër të tyre, operatorët privatë ose publike të menaxhimit të mbetjeve, autoritetet vendore dhe, kur është e përshtatshme, operatorët e ripërdorimit dhe përgatitjes për ripërdorim dhe ndërmarrjet ekonomike-sociale;

(b) përcaktojë objektivat e menaxhimit të mbetjeve, në përputhje me hierarkinë e mbetjeve, me qëllim arritjen e të paktën targetave sasiore të miratuara për skemën e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit siç përcaktohen në këtë ligj apo akte të tjera ligjore në fuqi, dhe caktojnë objektiva të tjerë sasiorë dhe/ose objektiva cilësore, që konsiderohen të rëndësishme për skemën e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit;

(c) sigurojë ngritjen e një sistemi raportimi për të mbledhur të dhëna për produktet e hedhura në treg nga prodhuesit e produkteve që i nënshtrohen përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit dhe të dhëna për mbledhjen dhe trajtimin e mbetjeve që dalin nga ato produkte, duke specifikuar, kur është e përshtatshme, rrymat e materialeve të mbetjeve, si dhe të dhëna të tjera të nevojshme për qëllimet e pikës (b), të këtij neni;

(d) sigurojë trajtim të barabartë të prodhuesve të produkteve pavarësisht prej origjinës apo madhësisë së tyre, pa vendosur barrë rregullatore joproporcionale mbi prodhuesit, duke përfshirë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të sasive të vogla të produkteve.

2. Ministria merr masat e nevojshme për të siguruar që krijuesi i mbetjeve pjesë e skemës së përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit të vendosur në përputhje me nenin 16/1 të këtij ligji janë të informuar për masat për parandalimin e mbetjeve, qendrat për ripërdorimin dhe përgatitjen për ri-përdorim, sistemet e marrjes dhe grumbullimit, dhe parandalimin e mbetjeve. Ministria merr masa për të krijuar stimuj për krijuesit e mbetjeve për të marrë përsipër përgjegjësinë e tyre për të dërguar mbetjet e tyre në sistemet e mbledhjes së veçantë, veçanërisht aty ku është e përshtatshme, nëpërmjet stimujve apo rregulloreve ekonomike.

3. Ministria merr masat e nevojshme për të siguruar që çdo prodhues i produkteve ose organizatave që zbatojnë detyrimet e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit në emër të prodhuesve të produkteve:

(a) ka mbulim të përcaktuar qartë, gjeografik, produkti dhe materiali pa i kufizuar në ato zona ku grumbullimi dhe menaxhimi i mbetjeve janë më fitimprurëse;

(b) siguron infrastrukturën e përshtatshme të grumbullimit të mbetjeve brenda zonave të përmendura në shkronjën (a) të këtij neni;

(c) ka mjetet e nevojshme financiare ose mjetet financiare dhe organizative për të përmbushur detyrimet e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit;

(d) vendos një mekanizëm të përshtatshëm të vetëkontrollit, i mbështetur, aty ku është e rëndësishme, nga auditimet e rregullta të pavarura, për të vlerësuar:

i. menaxhimin financiar, duke përfshirë përputhjen me kërkesat e parashikuara në pikat (a) dhe (b) të pikës 4, të këtij neni;

ii. cilësinë e të dhënave të mbledhura dhe të raportuara në përputhje me pikën (c) të pikës 1, të këtij neni;

(e) bën publik informacionin që disponon për arritjen e objektivave të menaxhimit të mbetjeve të përmendura në shkronjën (b) të pikës 1, të këtij neni dhe, në rastin e përmbushjes kolektive të detyrimeve të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit, publikon gjithashtu informacion për:

(i) pronësinë dhe anëtarësinë e skemës;

(ii) kontributet financiare të paguara nga prodhuesit e produkteve për njësi të shitura ose për ton të produktit të hedhur në treg; dhe

(iii) procedurën e përzgjedhjes për operatorët e menaxhimit të mbetjeve.

4. Ministria merr masat e nevojshme për të siguruar që kontributet financiare të paguara nga prodhuesi i produktit për të përmbushur detyrimet e përgjegjësisë së zgjeruara të prodhuesit:

(a) të mbulojnë kostot e mëposhtme për produktet që prodhuesi hedh në treg, si:

i. shpenzimet për grumbullimin e ndarë të mbetjeve dhe transportin dhe trajtimin e tyre, duke përfshirë trajtimin e nevojshëm për të përmbushur objektivat e Dokumentit të Strategjisë dhe Planit të Menaxhimit të Mbetjeve për menaxhimin e mbetjeve dhe kostot e nevojshme për të përmbushur targetat dhe objektivat e tjerë të përmendur në shkronjën (b) të pikën 1, duke marrë parasysh të ardhurat nga ripërdorimi, nga shitja e lëndës së parë sekondare nga produktet e saj dhe nga detyrimet e papaguara të skemave të depozitave,

ii. shpenzimet për sigurimin e informacionit të nevojshëm për krijuesit e mbetjeve në përputhje me pikën 2, të këtij neni.

iii. shpenzimet e mbledhjes së të dhënave dhe raportimit në përputhje me shkronjën (c) të pikës 1, të këtij neni.

(b) në rastin e përmbushjes kolektive të detyrimeve të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit, modulohen, aty ku është e mundur, për produktet ose grupet e produkteve të ngjashme, veçanërisht duke marrë parasysh qëndrueshmërinë, riparueshmërinë, ripërdorshmërinë dhe riciklueshmërinë e tyre dhe praninë e lëndëve të rrezikshme duke zbatuar kështu një qasje të ciklit të jetës dhe të harmonizuar me kërkesat e përcaktuara nga legjislacioni përkatës në fuqi dhe kur është e mundur, bazuar në kritere të harmonizuara për të siguruar një funksionim të qetë të tregut; dhe

(c) nuk i tejkalojnë kostot që janë të nevojshme për të ofruar shërbime të menaxhimit të mbetjeve me kostot efikase. Këto kosto do të zbatohen në mënyrë transparente ndërmjet aktorëve në fjalë.

5. Ministria krijon një kuadër përshtatshëm monitorimi dhe zbatimi me qëllim që të sigurojë që prodhuesit e produkteve dhe organizatat që zbatojnë detyrime të përgjegjësisë së zgjeruara të prodhuesit në emër të tyre zbatojnë detyrimet e tyre të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit, përfshirë në rastin e shitjeve në distancë, përdorin mjetet financiare siç duhet dhe që të gjithë aktorët e përfshirë në zbatimin e skemave të zgjeruara të përgjegjësisë së prodhuesit raportojnë të dhëna të besueshme.

Në rastin e organizatave të shumta të cilat zbatojnë detyrime të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit në emër të prodhuesve të produkteve, Ministria emëron të paktën një organ të pavarur nga interesat private ose i beson një autoriteti publik mbikëqyrjen e zbatimit të detyrimeve të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit.

Për qëllime të monitorimit dhe verifikimit të përputhshmërisë me detyrimet e prodhuesit të produktit në lidhje me skemat e përgjegjësisë së zgjeruara të prodhuesit, Ministria përcakton kërkesa për regjistrim, informacion dhe raportim, që duhet të plotësohen nga një person juridik ose fizik për t'u emëruar si përfaqësues i autorizuar në territorin e tyre.

6. Ministria nëpërmjet strukturave të ngritura siguron një dialog të rregullt ndërmjet aktorëve të përfshirë në zbatimin e skemave të përgjegjësisë së zgjeruara të prodhuesit, duke përfshirë prodhuesit dhe shpërndarësit, operatorët private ose publike të mbetjeve, autoritetet vendore, organizatat e shoqërisë civile dhe kur është e mundur, aktorët social-ekonomik, rrjetet e ripërdorimit dhe riparimit dhe operatorët e përfshirë në përgatitjen për ri-përdorimit.

7. Ministria merr masa për të siguruar që skemat e përgjegjësisë së zgjeruara të prodhuesit, të krijuara para 4 korrikut 2018, të jenë në përputhje me këtë nen deri më 5 janar 2023.

8. Informimi i publikut sipas këtij neni nuk cënon ruajtjen e konfidencialitetit të informacionit të ndjeshëm tregtar në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.

Neni 8

Në nenin 18, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 3 ndryshohet si më poshtë:

“3. Njësitë e vetëqeverisjes vendore grumbullojnë në mënyrë të diferencuar mbetjet.”

2. Pas pikës 3, shtohen pikat 3/1; 3/2; 3/3 dhe 3/4 me këtë përmbajtje:

“3/1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore grumbullojnë në mënyrë të diferencuar mbetjet, sipas nenit 16 të këtij ligji, brenda 31 dhjetorit 2018, të paktën për këto rryma mbetjesh si: letër, metal, plastikë dhe qelq dhe, prej 1 janarit 2025, për tekstilet.

3/2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore marrin masa për promovimin e prishjes në mënyrë të veçuar të ndërtesave me qëllim që të mundësojnë largimin dhe trajtimin e sigurt të substancave të rrezikshme dhe të lehtësojnë ri-përdorimin dhe riciklimin e me cilësi të lartë nëpërmjet heqjen e veçuar të materialeve dhe për të siguruar zbatimin e sistemeve të ndarjes për mbetjet e ndërtimit dhe shkatërrimit për të paktën drurin, fraksionet minerale (beton, tulla, pllaka dhe qeramikë, gurë), metal, qelq, plastikë dhe suva.

3/3. Për të përmbushur objektivat e këtij ligji dhe për të kaluar në një ekonomi qarkulluese me një nivel të lartë të efikasitetit të përdorimit të burimeve natyrore, njësitë e vetëqeverisjes vendore marrin masat e nevojshme për të arritur objektivat e mëposhtme:

a. deri në vitin 2020, përgatitjen për ripërdorim dhe riciklim të materialeve nga mbetjet të tilla si: letra, metali, plastika dhe xhami nga shtëpitë dhe mundësisht nga burime të tjera për mbetje të ngjashme me mbetjet shtëpiake, që duhet të rritet në një minimum prej 50% të peshës totale;

b. deri në vitin 2020, përgatitjen për ripërdorimin, riciklim dhe rikuperim të materialeve të tjera, duke përfshirë operacionet e mbushjes, të cilat përdorin mbetjet për të zëvendësuar materialet e tjera, të mbetjeve jo të rrezikshme të shkatërrimi dhe prishjes përjashtuar materialet në gjendje natyrore të përcaktuar në kategorinë 17 05 04 të katalogut të mbetjeve, që duhet të rritet në minimum 70% të peshës;

c. deri në vitin 2025, përgatitja për ripërdorim dhe riciklim i mbetjeve bashkiake do të rritet në minimum 55% në peshës;

d. deri në vitin 2030, përgatitja për ripërdorim dhe riciklim i mbetjeve bashkiake do të rritet në minimum 60% në peshës;

e. deri në vitin 2035, përgatitja për ri-përdorim dhe riciklim i mbetjeve bashkiake duhet të rritet në minimum 65% të peshës.

Neni 9

Pas nenit 28, shtohet neni 28/1 me këtë përmbajtje:

“Neni 28/1

Mbetjet e rrezikshme shtëpiake

1. Deri më 1 janar 2025, njësitë e vetëqeverisjes vendore do të ngrenë sistemin për grumbullimin e veçantë për fraksionet e mbetjeve të rrezikshme shtëpiake për të siguruar që ato janë trajtuar në përputhje me nenet 5 dhe 6 të këtij ligji dhe nuk ndosin rrymat e tjera të mbetjeve bashkiake.

2. Nenet 23, 24, 25 dhe 55 nuk do të zbatohen për mbetjet e përziera të prodhuara nga shtëpitë.

3. Nenet 25 dhe 55 nuk do të zbatohen për fraksione të veçanta të mbetjeve të rrezikshme të prodhuara nga shtëpitë derisa ato të pranohen për grumbullimin, depozitim ose rikuperimin nga një operator ose ndërmarrje që ka marrë lejen ose është regjistruar në përputhje me nenin 54 ose 57 dhe 58.

4. Deri më 31 dhjetor 2020, Ministria në bashkëpunim me Ministrinë përgjegjëse për infrastrukturën do të hartojë udhëzime për të ndihmuar dhe lehtësuar njësitë e vetëqeverisjes vendore në mbledhjen e ndarë të fraksioneve të mbetjeve të rrezikshme të prodhuara nga shtëpitë.

 

Neni 10

Në nenin 65, pika 2 ndryshohet si më poshtë:

 

2. Projektet që, në gjykimin e ministrisë, synojnë të realizojnë masat e Planit Kombëtar të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, jepen me koncesion, në përputhje me Ligjin Nr. 125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, të ndryshuar.

Neni 11

Pas shtojcës 5, shtohet shtojca 6, me titull dhe përmbajtje sipas tekstit bashkëlidhur këtij ligji.

 

Neni 12

 

Kudo në tekstin e ligjit nr. 10463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, emërtimi “Njësi e Qeverisjes Vendore” zëvendësohet me emërtimin “Njësi të Vetëqeverisjes Vendore”.

 

 

Neni 13

Shfuqizimet

 

1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Ligji Nr.8094, datë 21.3.1996 “Për largimin publik të mbeturinave”, shfuqizohet.

2. Kontratat e shërbimit për menaxhimin e integruar të mbetjeve të lidhura ndërmjet njësive të vetëqeverisje vendore dhe operatorëve publik apo privat i nënshtrohen rregullave të Ligjit Nr. 125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, të ndryshuar.

 

Neni 14

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

KRYETARI I KUVENDIT

 

GRAMOZ RUÇI

 

 

 

 

 

 

Shtojca 6

SHEMBUJ TË INSTRUMENTEVE EKONOMIKE DHE MASAVE TË TJERA PËR TË MUNDËSUAR STIMUJ PËR APLIKIMIN E HERARKISË SË MBETJEVE REFERUAR NË PIKËN 5 TË NENIT 6

1. Detyrime financiare dhe kufizime për depozitimin dhe djegien e mbetjeve që nxisin parandalimin dhe riciklimin e mbetjeve, duke e mbajtur depozitimin si opsionin më pak të preferuar për menaxhimin e mbetjeve;

2. Skemat "Paguaj-si-hedh" që ngarkojnë financiarisht prodhuesit e mbetjeve në bazë të sasisë së mbetjeve të krijuara dhe ofrojnë stimuj për ndarjen në burim të mbetjeve të riciklueshme dhe për zvogëlimin e mbetjeve të përziera;

3. Stimuj fiskalë për dhurimin e produkteve, në veçanti ushqimin;

4. Skemat e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit për llojet e ndryshme të mbetjeve dhe masat për të rritur efektivitetin, efiçencën e kostos dhe qeverisjen;

5. Skemat e depozitave të rimbursimit dhe masat e tjera për të inkurajuar mbledhjen efikase të produkteve dhe materialeve të përdorura;

6. Planifikimi i mirë i investimeve në infrastrukturën e menaxhimit të mbetjeve, duke përfshirë fondet e veçanta për këtë qëllim;

7. Prokurimi publik i qëndrueshëm për të inkurajuar menaxhimin më të mirë të mbetjeve dhe përdorimin e produkteve dhe materialeve të ricikluara;

8. Zvogëlimi i subvencioneve që nuk janë në përputhje me hierarkinë e mbetjeve;

9. Përdorimi i masave fiskale ose mjeteve të tjera për të nxitur marrjen e produkteve dhe materialeve të përgatitura për ripërdorim ose riciklim;

10. Mbështetje për kërkimin shkencor dhe inovacionin në teknologjitë e riciklimit të avancuar dhe ripërpunimin e materialeve;

11. Përdorimi i teknikave më të mira në dispozicion për trajtimin e mbetjeve;

12. Stimuj ekonomikë për autoritetet rajonale dhe vendore, në veçanti për të nxitur parandalimin e mbetjeve dhe për të intensifikuar skemat e grumbullimit të ndarë, duke shmangur mbështetjen për depozitimin dhe djegien;

13. Fushata ndërgjegjësimi publik, në veçanti për grumbullimin e veçantë, parandalimin e mbetjeve dhe reduktimin e mbetjeve, si dhe përfshirjen e këtyre çështjeve në arsim dhe trajnim;

14. Sisteme për koordinim, duke përfshirë edhe mjetet digjitale, ndërmjet të gjitha autoriteteve kompetente publike të përfshira në menaxhimin e mbetjeve;

15. Promovimi i dialogut të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit ndërmjet të gjithë aktorëve në menaxhimin e mbetjeve dhe inkurajimit të marrëveshjeve vullnetare dhe raportimit të kompanive për mbetjet.

 

 

[1] Projektligji përafron pjesërisht Direktivën 2008/98/EC të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të 19 nëntorit 2008 për mbetjet që shfuqizon disa Direktiva, të ndryshuar nga Direktiva (EU) 2018/851 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të 30 Majit 2018, Nr.Celex  32018L0851; OJ L 150, 14.6.2018, p. 109–140.                        

 

Nuk ka ende asnjë koment për këtë konsultim

Diskutimet për këtë konsultim janë mbyllur.